E rëndë në Budva! 65-vjeçari vret vëllain dhe nipin pas një konflikti në biznesin familjar
Një ngjarje e rëndë tronditi mëngjesin e sotëm qytetin bregdetar të Budvës, ku një konflikt i ashpër familjar përfundoi në vrasje të dyfishtë. Ngjarja ndodhi pranë një lokali në plazhin Slovenska, ku u qëlluan për vdekje një burrë dhe djali i tij. Sipas informacioneve paraprake, për këtë krim të rëndë dyshohet xhaxhai i viktimës dhe vëllai i tij, S.S., 65 vjeç, i cili u arrestua në vendngjarje pak minuta pas krimit.
Burime nga policia bëjnë me dije se S.S. është ndaluar nga policia menjëherë pasi morën njoftim për të shtëna me armë zjarri rreth orës 08:00. “Punonjësit e policisë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje, kanë identifikuar autorin e dyshuar, i kanë sekuestruar armën dhe e kanë vënë në pranga”, thuhet në njoftimin paraprak të policisë.
Sipas mediave lokale, ngjarja erdhi si kulmim i një mosmarrëveshjeje të gjatë familjare, e cila këtë herë kishte shpërthyer për shkak të një konflikti rreth aktivitetit të transportit të turistëve me anije një veprimtari me të cilën si viktimat, ashtu edhe autori dyshohet se ishin të përfshirë prej vitesh.
Raportohet se një ditë më parë, ka pasur një përplasje të fortë mes vëllezërve, gjatë së cilës S.S. ka bërë kërcënime të qarta, duke paralajmëruar se “do t’i jepte fund njëherë e mirë”.
Mëngjesin e sotëm, ai është paraqitur pranë një stende ku ndodheshin vëllai dhe dy nipërit e tij. Dyshohet se pas një përplasjeje të re verbale, S.S. ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar për vdekje vëllain dhe një nga djemtë e tij. Djali tjetër ka arritur të shpëtojë pa lëndime.
Pas vrasjes, autori është ulur në një kafene aty pranë dhe ka pritur policinë, pa tentuar të largohet.
Policia e Budvës ende nuk ka dhënë një deklaratë të plotë zyrtare mbi motivet dhe rrethanat e ngjarjes, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht këtë krim tronditës që ka lënë komunitetin vendas në shok.