Delvinë, pësoi djegie të rënda duke luftuar flakët, transportohet me urgjencë drejt Spitalit të Djegieve në Tiranë 42-vjeçari

Vijojnë të rëndohen pasojat nga zjarret që prej ditësh kanë përfshirë zonat e jugut. Mbrëmjen e së premtes është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Djegieve në Tiranë 42-vjeçari Apostol Zhupa, banor i fshatit Kopaçez, Bashkia Delvinë.

Zhupa ishte pjesë e grupit të banorëve që po ndihmonin për të shuar zjarrin që ra në fshat, kur pësoi djegie të shumta në trup, kryesisht në zonën e gjoksit dhe shpatullave. Fillimisht ai mori ndihmën e parë në spitalin e Sarandës, por për shkak të gjendjes së rënduar u dërgua me ambulancë në Tiranë për trajtim të specializuar.

Ky është personi i dytë që dërgohet në gjendje të rëndë drejt Tiranës si pasojë e djegieve nga flakët në këtë zonë, duke theksuar edhe një herë rrezikun me të cilin përballen banorët që përpiqen të ndalojnë përhapjen e zjarreve me mjete rrethanore dhe pa ndihmë të organizuar.

Autoritetet lokale vijojnë të bëjnë thirrje për ndërhyrje më të fuqishme dhe mbështetje nga strukturat shtetërore për të frenuar situatën që mbetet kritike në disa zona të Delvinës dhe Borshit.