Tsimikas nderon Diogo Jota-n me një tatuazh prekës: Do të doja të ishe këtu
Një gjest i ndjerë dhe personal ka prekur zemrat e tifozëve të Liverpool-it dhe të gjithë komunitetit të futbollit: mbrojtësi grek Kostas Tsimikas ka nderuar mikun e tij të ndjerë, Diogo Jota, me një tatuazh të veçantë në dorën e majtë.
Tri javë më parë, Diogo Jota dhe vëllai i tij, André Silva, gjithashtu futbollist profesionist në radhët e Penafiel në Portugali, humbën jetën tragjikisht në një aksident automobilistik në Spanjë. Humbja e tyre tronditi botën e futbollit dhe solli një valë emocionesh e nderimesh nga bashkëlojtarë, klube dhe tifozë.
Tsimikas, që kishte ndarë fushën dhe sukseset me Jota-n që prej vitit 2020, ka vendosur të mbajë përjetësisht në trupin e tij kujtimin e mikut. Ai bëri një tatuazh në Athinë me fjalët "Wish you were here" – “Do të doja të ishe këtu” – bashkë me numrin 20, që Jota mbante te Liverpool-i. Tatuazhi u publikua nga studioja Puerto Ink në Instagram me përshkrimin: "Faleminderit që na besove diçka kaq të shenjtë. Ishte një nder."
Tsimikas dhe Jota kishin krijuar një lidhje të fortë që nga momenti kur të dy u bashkuan me “The Reds”. "Erdhëm në klub në të njëjtën kohë, ishim të rinjtë e sapoardhur. Ndamë së bashku disa nga momentet më të bukura të karrierës. Do të jesh gjithmonë i dashur dhe i paharruar," shkruante Tsimikas në lamtumirën e tij pas lajmit tragjik.
Ky tatuazh mbetet një kujtim i përjetshëm dhe një dëshmi e dashurisë së vërtetë mes miqve përtej fushës së futbollit.