Nga akuzat për përdhunim te dështimi me Zurich-un, një tjetër fund i hidhur për ish-in e City-t

Makthi i Benjamin Mendy duket se nuk ka të sosur. Ish-mbrojtësi i Manchester City-t, i cili vetëm pak kohë më parë ishte shpallur i pafajshëm për akuzat e përdhunimit që e dërguan edhe në burg dhe i kushtuan pezullimin nga futbolli, është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes, këtë herë për arsye sportive dhe disiplinore.

Pas rikthimit në fushë në muajin shkurt me skuadrën e Zurich-ut, aventura e tij në Zvicër zgjati vetëm pesë muaj. Klubi zviceran ka vendosur t’i ndërpresë kontratën, me arsyetimin se Mendy nuk ka përmbushur pritshmëritë dhe nuk ka qenë në formën e duhur për të konkurruar në nivelet e kërkuara.

"Benjamin nuk dha atë që prisnim nga një lojtar i nivelit të tij", – u shpreh trajneri i Zurichut, Ricardo Moniz. Ai shtoi: "Gjendja e tij fizike nuk është aspak në standardet e këtij kampionati."

Moniz kishte ngritur shqetësime për sjelljen e lojtarit që në prill, kur pas një humbjeje të rëndë 0-4 ndaj Baselit, Mendy ishte parë duke festuar deri në orët e vona të natës. “Pas një humbjeje të tillë, nuk është e pranueshme të sillesh në këtë mënyrë me tifozët”, kishte thënë asokohe trajneri holandez.

Tashmë, në moshën 30-vjeçare, Mendy mbetet pa skuadër dhe me një karrierë që duket gjithnjë e më larg kthimit në nivelet e dikurshme. Për një futbollist që dikur fitoi Kupën e Botës dhe Premier League, rruga për t’u rikthyer i dikurshmi duket më e vështirë se kurrë.