Ndarja nga jeta e legjendës Hulk Hogan/ Raporti policor, projektet e papërfunduara dhe ‘orteku’ i reagimeve

Bota e wrestlingut dhe më gjerë u trondit të enjten nga lajmi për vdekjen e Hulk Hogan, një prej figurave më ikonike të WWE dhe sportit amerikan në përgjithësi. I njohur me emrin e vërtetë Terry Bollea, ai ndërroi jetë në moshën 71-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të madhe në botën e argëtimit dhe një perandori të tërë biznesi që mbeti e papërfunduar.

Çfarë thotë raporti policor?

Sipas raportit zyrtar të policisë së Clearwater, Florida, vend ku banonte Hogan, shërbimet e emergjencës u thirrën në orën 9:51 të mëngjesit me orën lokale në adresën El Dorado Avenue nr. 1000, pas një telefonate për ndihmë mjekësore urgjente. Hogan u transportua menjëherë në spitalin Morton Plant, ku u konfirmua vdekja e tij në orën 11:17. Edhe pse është hapur një hetim rutinë, autoritetet nuk kanë gjetur shenja të ndonjë akti të dyshimtë.

Hogan vuante prej vitesh nga probleme të shumta shëndetësore dhe kishte kaluar një numër të madh operacionesh. Në maj të këtij viti iu nënshtrua një ndërhyrjeje të rëndë kirurgjikale në qafë, e njohur si disektomia cervikale anteriore, një operacion i vështirë që kërkon rikuperim të gjatë. Edhe pse bashkëshortja e tij, Sky Daily, kishte mohuar thashethemet se ai ndodhej në koma, ajo kishte pranuar se rikuperimi po shkonte më ngadalë se sa pritej.

Reagimet pas vdekjes

Lajmi për ndarjen nga jeta të “Hulkster” ka shkaktuar një ortek reagimesh në rrjetet sociale dhe media. WWE, ku ai mbante ende statusin e legjendës dhe bashkëpunonte për promovimin e markës së tij të birrës, publikoi një homazh të posaçëm. Ndërkohë, presidenti i SHBA-ve dhe miku i tij i ngushtë, Donald Trump, gjithashtu shprehu dhimbjen e thellë për humbjen.

Gjithashtu, ‘yje’ të mëdhenj të wrestling-ut si Undertaker, Ric Flair (me një mesazh prekës e të gjatë), Triple H, Vince McMahon dhe dhjetëra personalitete nga sporti, politika dhe Hollivudi kanë kujtuar figurën e pazëvendësueshme të Hulk Hogan.

Ndërkohë, mbeten të papërfunduara disa projekte të mëdha të tij, përfshirë një bashkëpunim të ri me Eric Bischoff për krijimin e një federate të re të wrestling-ut amator, të quajtur Real American Freestyle Wrestling, e cila pritej të lançohej këtë verë.

Hulk Hogan nuk ishte thjesht një emër i ringut, ai ishte një simbol i një epoke. Vdekja e tij shënon fundin e një kapitulli të artë në historinë e WWE dhe në kulturën amerikane të shekullit të fundit.