‘Ndihmat humanitare në Gaza do të rifillojnë së shpejti’, thotë një zyrtar izraelit
Dërgesat e ndihmës humanitare do të rifillojnë së shpejti në Rripin e Gazës, enklavën palestineze të kërcënuar nga uria pas 21 muajsh lufte, deklaroi sot për AFP një zyrtar izraelit.
“Hedhja e ndihmave do të rifillojë brenda pak ditësh, nën koordinimin e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Jordanisë,” tha zyrtari, i cili kërkoi të mbetej anonim.
Izraeli po përballet me presion gjithnjë e më të madh ndërkombëtar për shkak të situatës së rëndë humanitare në Gaza.
Në muajin maj, shteti hebre lehtësoi pjesërisht bllokadën totale që kishte vendosur ndaj enklavës që në fillim të marsit, e cila kishte shkaktuar mungesa të theksuara ushqimesh, ilaçesh dhe mallrash të tjera bazë.
Më herët sot, ushtria izraelite deklaroi se “Izraeli nuk kufizon numrin e kamionëve që hyjnë në Rripin e Gazës”, por sipas saj, “organizatat ndërkombëtare humanitare dhe agjencitë e Kombeve të Bashkuara nuk e marrin ndihmën në momentin që ajo hyn në territorin palestinez.”
“Ndryshe nga sa dëgjohet shpesh, nuk ka kufizim për numrin e kamionëve që transportojnë ndihma humanitare në Gaza,” shkroi në Platformën X COGAT-i, një agjenci e Ministrisë izraelite të Mbrojtjes, e ngarkuar me çështjet civile në territoret palestineze.
Emiratet e Bashkuara Arabe, Jordania, Franca dhe vende të tjera morën pjesë në hedhjet ajrore të ndihmave humanitare në Gaza gjatë vitit 2024.
Këto operacione u kritikuan, jo vetëm sepse pati viktima nga rënia e pakove, por edhe për shkak të organizimit të vështirë dhe efektivitetit të kufizuar të tyre. Syri.net-CNN.gr