‘Zjarre me përmasa të mëdha’/ Cara: Kemi hasur në rezistencën e banorëve për t’i evakuar! Terreni i thyer dhe temperaturat, favorizojnë flakët

Drejtori I Përgjithshëm i Zjarrfikëses, Arben Cara në një bisedë telefonike me Syri Tv ka dhënë më shumë detaje rreth situatës së zjarreve në Delvinë, ku për shkak të flakëve që kanë kërcënuar banesat e tre fshatrave është dashur evakuimi i tyre.

Duke folur në edicionin e lajmeve të orës 19, në Syri Tv, Cara e përshkroi situatën në Delvinë si tejet të jashtëzakonshme, edhe për shkak të intensitetit të flakëve që kanë përfshirë tre fshatrat, çka ka detyruar autoritetet të zhvendosin banorët për  t’u garantuar sigurinë e jetës.

Sipas Carës, banesat e djegur kanë qenë kryesisht të braktisura, ndërsa për evakuimin e banorëve kanë hasur në rezistencën e këtyre të fundit, pasi refuzonin të linin shtëpitë.

Cara nuk dha garanci mbajtjen nën kontroll të situatës në fshatrat e Delvinës, pasi era dhe temperaturat e larta nuk janë favorizuese për ekipet e emergjencave civile, ushtrinë dhe dy helikopterët që po marrin pjesë në operacionin e shuarjes së vatrave të zjarrit.

Janë evakuar tre fshatrat, ka qenë situatë e jashtëzakonshme. Zjarri ka qenë me përmasa të mëdha dhe është dashur që të evakuohen banorët për sigurinë e tyre. Policia, zjarrfikësja, Ministria e Mbrojtjes dhe emergjencat civile kanë qenë të angazhuar për të vënë nën kontroll zjarrin.

Terreni i thyer dhe temperaturat e larta kanë bërë që flakët të përpijnë gjithçka u del përpara. Jam në fshatin Palavli, kemi kthyer banorët, e kemi vënë nën kontroll zjarrit por vijon në një perimetër të largët kodrinor që të jetë kritik.

Janë djegur disa banesa të mbyllura prej vitesh, banesa të djegura me banorë brenda s’kemi. Në Palavli, po monitorojmë situatën e kemi forcat në terren, me helikopterë. Vijojnë e hedhin ujë mbi vatrat e zjarrit për të ndërprerë vijën e zjarrit.  Kanë ndërhyrë ekipe nga qarku i Vlorës. Të gjitha bashkitë kanë qenë, dhe nga ushtria nga Tirana.

Ka pasur panik, flakët s’duan t’ia dinë për zjarrfikësit e njerëzit, është dashur kohë për t’i evakuar, sepse s’donin t’i linin shtëpitë. Kemi pasur dhe dy të lënduar, shefin e komisariatit të Delvinës dhe shefin e krimeve, kjo ka ndodhur për shkak se banorët s’kanë dashur të evakuohen nga banesat e tyre. Nëse era do të vijojë, situatën s’mund ta kemi nën kontroll.

Kryesisht zjarri vjen nga faktori njeri, por organet kompetente hetojnë nëse janë të qëllimshme. Zakonisht banorët i vënë zjarret për të djegur mbeturinat rreth banesës, kryesisht moshat e tretë që bëjnë pastrimin e banesave të veta dhe ka rezultuar fatale shpesh herë dhe për to.