Shefi i Policisë së Delvinës u dogj gjatë zjarrit në Senicë, publikohen pamjet nga Spitali i Traumës
Flakët që përfshinë Delvinën ditën e sotme kanë lënë të plagosur rëndë shefin e Komisariatit të Policisë së Delvinës, komisar Agim Troci, si dhe shefin e krimeve të komisariatit, Joni Lame. Të dy efektivët ndodheshin në terren, në përpjekje për të ndihmuar në evakuimin e banorëve dhe koordinimin e forcave të emergjencës në një nga zonat më të rrezikuara nga zjarri.Komisar Agim Troci u përpoq të shpëtonte disa të moshuar që nuk dilnin dot nga zona e rrezikut, kur u përfshi nga flakët dhe pësoi djegie të shumta në zonën e barkut dhe krahut.
Për shkak të gjendjes së rënduar, ai u transportua menjëherë me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë. Pamjet nga momentet kur komisar Troci merrte ndihmën e parë dhe më pas kujdes mjekësor në spital janë publikuar ditën e sotme.
Troci, është vizituar sot në Spitalin e Traumës nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, të cilët u interesuan për gjendjen e tij. Aktualisht, komisar Agim Troci ndodhet i shtruar në repartin e djegieve në QSUT dhe është nën kujdes intensiv mjekësor.
Zjarri, i cili shpërtheu në fshatin Vergo dhe u përhap me shpejtësi për shkak të erës së fortë dhe temperaturave të larta, përfshiu një zonë të banuar duke shkaktuar panik në mesin e banorëve.
Ndërkohë, zjarret në jug të vendit vijojnë të jenë aktive në disa zona, ndërsa autoritetet apelojnë për bashkëpunim nga qytetarët dhe kujdes maksimal, për të shmangur rrezikun për jetën dhe pronën.