SYRI TV/ Prezantohet drafti i Kodit të ri Penal: Të dënuarit përjetë, lirim me kusht
Drafti i Kodit të Ri Penal parashikon lirimin me kusht të personave të dënuar me burgim të përjetshëm. Drafti u paraqit nga drejtori i Shkollës së Magjistraturës Arben Rakipi dhe u mbështet nga përfaqësuesi i qeverisë Ulsi Manja. Drafti i Kodit të Ri Penal parashikon heqjen e disa veprave që lidhen me ligjin e dekriminalizimit, por pa specifikuar se për cilat vepra bëhet fjalë. Përmes këtyre ndryshimeve, Edi Rama synon t’u lehtësojë rrugën drejt Parlamentit apo zyrave të tjera të larta të shtetit, personave me të shkuar të dyshimtë kriminale.
Personat e dënuar me burgim të përjetshëm do të lirohen me kusht. Ky plan u paraqit gjatë prezantimit të draftit të Kodit të Ri Penal nga drejtori i Shkollës së Magjistraturës Arben Rakipi, i cili kryeson edhe grupin e ekspertëve që po përgatit draftin e ri.
Lirim para kohe me kusht. Ne kemi pasur disa pengesa që lidhen me aplikimin e lirimit me kusht për burgimin e përjetshëm. Përfundimisht, diskutimi i gjatë është se mund ta aplikojmë lirimin me kusht për dënimin e përjetshëm. Është propozim shumë i guximshëm, debati ka qenë i fortë sepse këtu mpleksen shumë gjëra, një pjesë e të cilave i përmenda: paqja sociale, viktima, rendi publik, shkalla e kriminalitetit etj., por nisur nga besimi që edhe personalisht kam, që njerëzit ndryshojnë dhe përmirësohen nëse puna me ta është e efektshme.
Pavarësisht se pas propozimit për lirimin me kusht të të dënuarve me burgim të përjetshëm duket qartë se fshihet vullneti i qeverisë së Edi Ramës, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja u mundua që përgjegjësinë e kësaj çështje të nxehtë t’ua lërë të tjerëve.
Është shumë e rëndësishme të theksoj se ky draft nuk është produkt i Ministrisë së Drejtësisë apo i qeverisë. Ministria e Drejtësisë ka pasur dhe do të ketë deri në fund vetëm rol organizues dhe mbështetës, ndërsa autorësia intelektuale dhe përmbajtja teknike e draftit është dhe do të mbetet krejtësisht në pronësi të grupit të punës në çdo fazë të konsultimit publik.
Sipas raportimeve, drafti i Kodit të Ri Penal parashikon heqjen e disa veprave që lidhen me ligjin e dekriminalizimit, por pa specifikuar se për cilat vepra të vjetëruara bëhet fjalë. Ligji për dekriminalizimin u miratua me konsensusin e të gjitha palëve më 17 dhjetor të vitit 2015. Ky ligj nxori nga skena politike një numër të lartë deputetësh socialistë dhe kryetarë bashkish të kësaj force politike. Ende nuk është e qartë nëse përmes këtyre ndryshimeve në ligjin për dekriminalizimin, qeveria e Edi Ramës synon t’u lehtësojë rrugën drejt Parlamentit apo zyrave të tjera të larta të shtetit, personave me të shkuar të dyshimtë kriminale.