‘Bashkia në amulli’, Teliti: Veliaj i pandehur nga SPAK, kërkojmë shkarkimin dhe zgjedhje të reja në Tiranë

Nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorian Teliti, i ftuar në emisionin “Syri Digjital”, kërkoi shkarkimin e menjëhershëm të kryetarit aktual të bashkisë, Erion Veliaj, duke theksuar se ai është tashmë i pandehur nga SPAK dhe se menaxhimi i Bashkisë së Tiranës është në një gjendje amullie.

Teliti denoncoi situatën antikushtetuese ku kryeministri po ushtron në praktikë rolin e kryetarit të bashkisë dhe ku disa ministra dhe një nënkryetare e komanduar po ushtrojnë detyra që nuk janë të zgjedhura nga qytetarët.

Ai kërkoi hapjen e garës për zgjedhjen e kryetarit të ri, duke theksuar se vetëm qytetarët duhet të vendosin për drejtimin e kryeqytetit, ndërsa paralajmëroi se deri tani Këshilli Bashkiak nuk ka pasur mundësi ta diskutojë këtë çështje për shkak të bllokimit nga këshilltarët e majtë.

Pjesë nga intervista:

Kemi pothuajse 70 ditë që kemi dorëzuar në Këshillin Bashkiak kërkesën për të diskutuar mbi statusin e kryetarit, i cili nuk është më në krye të detyrës, Erion Veliaj. Ne e dimë tashmë që ai nuk është më thjesht në hetim, por është marrë i pandehur nga SPAK. Kemi një amulli në menaxhimin e Bashkisë së Tiranës. Bashkia e Tiranës duhet të jetë një institucion me rëndësi të lartë, i cili nuk mund të mendohet dhe menaxhohet sot në kushtet kur kemi një kryeministër që bën detyrën e kryetarit të bashkisë, por ndërkohë ka komanduar katër ministra që ushtrojnë po ashtu detyrën e kryetarit të bashkisë. Gjithashtu, ka komanduar një nënkryetare bashkie, e cila sot do të merrej në testim për të vlerësuar nëse është e denjë apo jo për të vazhduar detyrën.

Jemi në një situatë antikushtetuese dhe kërkojmë hapjen e garës për zgjedhjen e kryetarit të ri të Bashkisë Tiranë. Kjo garë duhet të hapet kur Këshilli Bashkiak kërkon fillimisht shkarkimin e kryetarit të bashkisë, gjë që ne e kemi kërkuar prej kohësh në mbledhje, por na është mohuar nga këshilltarët e majtë, të cilët nuk e kanë futur as në diskutim në rendin e ditës, pavarësisht se kjo është e drejta jonë që të diskutohet.

Ata presin urdhrin e kryetarit real të bashkisë, kryeministrit, i cili e konsideron Bashkinë e Tiranës dhe çdo bashki tjetër në vend si një bashki të vetme. Për të, Shqipëria është një bashki. Pritet urdhri politik. Dita kur do të vendoset për zgjedhje të parakohshme, atëherë do të mblidhet Këshilli Bashkiak për të riaktivizuar edhe kërkesën tonë dhe të tyre për të shkarkuar Veliajn. Deri sot, duket se Rama nuk është i bindur për ta shkarkuar Veliajn.

Shkarkimi i menjëhershëm i kryetarit të bashkisë dhe hapja e rrugës për zgjedhje të ndershme janë të domosdoshme. Ne nuk po kërkojmë që këta të ikin dhe të vijmë ne, sepse kush do të vijë e vendosin qytetarët. Ajo që ne kërkojmë është që qytetarët të vendosin se kush do të vijë. Jemi në një situatë absurditeti, ku kemi një zonjë të nderuar në aspektin personal, por në shkelje të Kushtetutës, që po vepron në drejtim të punëve të Bashkisë së Tiranës, rasti i Anuela Ristanit. Ajo kishte vetëm një afat prej 3 muajsh, ndërsa sot, prej 6 muajsh është në krye të Tiranës si një person jo i zgjedhur nga qytetarët, thjesht një person që po menaxhohet për arsye politike.