FOTO/ Shkatërrohet rrjeti i drogës, 5 të prangosur dhe 30 kg 'mall' të sekuestruar
Një operacion antidrogë i zhvilluar nga policia e Novarës ka çuar në sekuestrimin e mbi 30 kilogramëve drogë dhe arrestimin e pesë personave, përfshirë tre shtetas shqiptarë dhe dy italianë, të dyshuar për trafikim të drogës në sasi të mëdha.
Hetimi, që ka zgjatur 9 muaj, përfundoi në mëngjesin e sotëm, më 25 korrik, me një aksion të madh në qytetin e Novarës dhe në komunat përreth, si Nibbiola dhe Vespolate.
Sipas hetimeve të kryera nga Departamenti i Hetimeve të Policisë së Novarës, banda e trafikantëve ishte aktive kryesisht në qytetin e Novarës dhe kishte mundësinë të shpërndante deri në 30 kilogramë drogë çdo javë, duke gjeneruar një qarkullim prej rreth 400 mijë eurosh në muaj.
Sipas informacioneve të siguruara, në krye të grupit ishte një 41-vjeçar shqiptar, i njohur tashmë për aktivitete kriminale, i cili drejtonte operacionet dhe përdorte një rreth të ngushtë bashkëpunëtorësh, përfshirë vëllain e tij, 39-vjeçar.
Baza operative e bandës ishte një kompleks banimi në Lumellogno, ku droga ruhej dhe përgatitej për shpërndarje. Vëllai i liderit, i cili jetonte në kompleks, kishte rol roje dhe merrej me përgatitjen e dozave, ndërsa një tjetër shtetas shqiptar, 32 vjeç, kishte detyrën e ‘majordomës’ të grupit dhe merrej me transportimin dhe shpërndarjen e drogës.
Dy shtetasit italianë, të moshës 55 dhe 52 vjeç, ofronin hapësirat e tyre për ruajtjen dhe mbajtjen e drogës në fshehtësi.
Një nga metodat kryesore të përdorura nga banda për të shmangur kapjen ishin makinat me fonde të dyfishta të fshehura në sediljet e pasme, ku droga fshihej në mënyrë të sigurt dhe e padukshme.
Gjatë hetimeve, policia ka sekuestruar një sasi të konsiderueshme droge, përfshirë 30 kilogramë hashash dhe më shumë se 2 kilogramë kokainë ‘të verdhë’. Gjatë aksionit të fundit, janë gjetur dhe sekuestruar gjithashtu 760 gramë kokainë, 13 mijë euro në para, peshore precizoni dhe dy shtypës për paketimin e drogës.
Ky aksion është pjesë e një hetimi të thelluar dhe ka sjellë një goditje të fortë për një grup të organizuar kriminal që vepronte në zonën e Novarës. Policia ka njoftuar se hetimet do të vazhdojnë për të zbuluar më shumë lidhje dhe detaje rreth këtij aktiviteti kriminal, ndërkohë që personat e arrestuar pritet të përballen me akuza të rënda për trafikim të drogës.