Gjithçka shkrumb e hi...Zjarret ‘pushtojnë’ 3 fshatrat e Delvinës. Ja çfarë mbeti pas

Dhjetëra hektarë pyje të djegur dhe zjarre që kërcënojnë seriozisht jetën e tre fshatrave në Delvinë, është panorama që vjen nga Qarku i Vlorës, ndërsa autoritetet po ‘luftojnë’ me kohën, për të shuar zjarret që kanë përfshirë zonat.

Pavarësisht dy helikopterëve që po asistojnë në shuarjen e flakëve në terren, emergjencat civile  dhe forcat ushtarake në terren, po evakuojnë banorët e tre fshatrave pas urdhrave emergjent të lëshuara nga Ministria e Mbrojtjes, ndërsa siç shihet dhe nga pamjet, zjarret kanë lënë pas vetëm tokë të djegur e thatësirë të tejskajshme, kjo e favorizuar edhe nga temperaturat ekstreme që kanë goditur Shqipërinë këto ditë.

Shtëllunga të mëdha tymi, si pasojë e flakëve dhe zjarreve që kanë përfshirë pyjet e kullotat, tanimë dhe banesat, shihen në tre fshatrat e Delvinës ndërsa zjarrfikëset përpiqen t’i vënë nën kontroll, por era nuk është në favorin e tyre për t’i ndihmuar, duke i përhapur zjarret më tej.