Khabib ‘shigjeton’ McGregor-in: Nëse vazhdon të pish, do të përfundosh në telashe

 

Rivaliteti mes Khabib Nurmagomedov dhe Conor McGregor mbetet një nga më të zjarrtët në historinë e MMA-së. Epiqendra e përplasjes së tyre ishte në vitin 2018, kur rusi triumfoi ndaj irlandezit në UFC 229, por tensioni mes tyre vijon ende, edhe pse jashtë kafazit të oktagonit.

Këtë herë, Khabib ka komentuar mbi stilin e jetës së ish-kundërshtarit të tij, i cili vazhdon të jetë në qendër të polemikave për sjellje të shfrenuara, festa luksoze dhe akuza të rënda, përfshirë edhe atë për përdhunim.

“Nuk më intereson shumë se çfarë bën apo nuk bën ai. Ndonjëherë më bie rasti të shoh ndonjë titull për të dhe i hedh një sy, por nuk më bën përshtypje,” – deklaroi Khabib në një intervistë me Adam Zubayraev. “Nëse jeton ashtu, nuk ka rëndësi kush je, do përfundosh patjetër në telashe.”

Sipas ish-kampionit të UFC-së, problemet e McGregorit janë pasojë direkte e stilit të tij të jetës. “Kur jeton me festa të pandërprera, duke pirë gjithë kohën, natyrisht do përballesh me situata të pakëndshme. Qoftë një keqkuptim apo një përleshje në klub nate, gjithmonë ndodh diçka. Gjithçka varet nga mënyra si zgjedh të jetosh.”

 

Fjalët e Khabibit vijnë në një moment kur McGregor është në fokusin e medieve për më shumë skandale sesa për rikthime në kafaz.