Trump ultimatum Kremlinit/ ‘Nëse nuk arrihet paqja në Ukrainë brenda 50 ditëve do të vendosim sanksione shtesë’
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi sot se administrata e tij po shqyrton vendosjen e sanksioneve të reja kundër Rusisë, në kuadër të luftës në Ukrainë.
“Është e mundur të detyrohemi të ndërmarrim sanksione dytësore ndaj Rusisë,” u shpreh ai para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, pak para nisjes për një vizitë në Skoci.
Gjatë një takimi të mëparshëm këtë muaj me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, Trump kishte paralajmëruar se SHBA do të vendosë tarifa 100% për vendet që vazhdojnë të bëjnë tregti me Rusinë, nëse nuk arrihet një marrëveshje paqeje brenda 50 ditësh.
“Nëse nuk arrihet një marrëveshje për paqe brenda 50 ditësh, do të vendosim tarifa dytësore. Është shumë e thjeshtë,” u shpreh Trump nga Zyra Ovale. “Dhe ato do të jenë 100%.”