Del jashtë kontrollit zjarri në fshatin Senicë, pëson djegie në trup shefi i komisariatit të Delvinës, asfiksohet shefi i krimeve
Zjarri që nisi mesditën e sotme në Kalasë, ka dalë jashtë kontrollit duke përfshirë fshatrat Senicë dhe Palavli në bashkinë Delvinë.
Deri tani janë shkatërruar 11 shtëpi, ndërsa nga flakët është përfshirë edhe Kisha 200-vjeçare e Shën Dhimitrit në Senicë, një monument me vlerë historike dhe kulturore të zonës.
Në vendngjarje janë angazhuar forca të shumta zjarrfikësish nga bashkitë Delvinë, Sarandë, Konispol, Finiq dhe Himarë, së bashku me emergjencat civile, policinë dhe autoritetet lokale. Gjithashtu, në zonë ndodhet edhe një ambulancë për të ofruar ndihmë mjekësore në rast nevoje.
Për shkak të rrezikut të lartë, është nisur evakuimi i banorëve nga fshatrat Palavli, Vergo dhe Kopaçez për të garantuar sigurinë e tyre.
Shefi i Komisariatit të Policisë së Delvinës, komisar Agim Troci, i cili ndodhej në vendngjarje për shuarjen e zjarrit, ka pësuar djegie në trup dhe është shtruar në spitalin e Sarandës. Po ashtu, shefi i krimeve në komisariat, Joni Lame, ndodhet në spital pasi është asfiksuar nga tymi.
Situata mbetet kritike dhe autoritetet vazhdojnë punën intensive për shuarjen e flakëve dhe mbrojtjen e banorëve dhe pronave.
Rreth orës 16:00 autoritetet informuan se kanë urdhëruar evakuimin e menjëhershëm të banorëve në fshatrat Palavli, Vergo dhe Kopaçëz, në Bashkinë Delvinë, për shkak të rrezikut nga zjarret të cilat kanë dalë jashtë kontrollit.