Allegri para ndeshjes ndaj Liverpool-it: Dua një paraqitje më të mirë se ndaj Arsenalit
Pas humbjes me Arsenalin, turneu i Milanit në Azi dhe Oqeani vijon me një tjetër test të nivelit të lartë. Të shtunën, në orën 13:30, kuqezinjtë do të përballen me kampionët e Anglisë, Liverpool-in, në Hong Kong. Në konferencën për shtyp, trajneri Massimiliano Allegri theksoi rëndësinë e kësaj sfide dhe shfaqi kërkesën për përparim të dukshëm.
“Do të përballemi me një skuadër që ka fituar kampionate dhe Champions League. Është një test i rëndësishëm dhe dua një paraqitje më të mirë se ajo ndaj Arsenalit. Kundër ‘Gunners’ luajtëm mirë në mbrojtje dhe patëm disa raste për gol që nuk i konkretizuam. Megjithatë, për këtë fazë është në rregull. Ky tur është thelbësor për të njohur njëri-tjetrin dhe për të qenë gati për fillimin e Serinë A.”
Pavarësisht shpenzimeve të mëdha të Liverpool-it, mbi 300 milionë euro në këtë merkato, Allegri nuk shfaq asnjë ndjenjë zilie ndaj kolegut Arne Slot.
“Jo, nuk jam ziliqar. Klubi po punon mirë në merkato. Estupiñan ka mbërritur dhe do të jetë një element i rëndësishëm për ne. Tani po kërkojmë edhe profile të tjera që të përshtaten me ne.”
Në mungesë të përforcimeve të reja në sulm, trajneri konfirmoi se Rafael Leao do të luajë sërish në qendër të repartit ofensiv. “Më pëlqeu ndaj Arsenalit, ashtu si edhe pjesa tjetër e skuadrës. Krijuam raste, por na mungoi konkretizimi.”
Në fund, Allegri vuri theksin te ndërtimi i grupit: “Shpresoj që të bëhemi skuadër sa më shpejt. Djemtë po tregojnë dëshirë për të punuar dhe kjo është më e rëndësishmja. Duhet të njihemi mirë dhe të përmirësohemi çdo ditë në stërvitje.”
Një tjetër lajm pozitiv për kuqezinjtë është rikthimi i Luka Modric-it, i cili pritet në Milanello në fillim të gushtit. Allegri mezi pret ta ketë në dispozicion: “Është një kampion i vërtetë, shembull për të gjithë brenda dhe jashtë fushe.”