Trafik armësh nga Tirana drejt Londrës përmes portit të Durrësit! Fshiheshin në mobilje! Dërgohen në gjyq 6 të pandehur, mes tyre organizatorët

Prokuroria e Posaçme informoi sot se ka mbyllur hetimet dhe dërguar për gjykim në GJKKO 6 anëtarët e një rrjeti të strukturuar kriminal që trafikonte armë nga Shqipëria drejt Mbretërisë së Bashkuar.

Grupi operonte në dy fronte, me bazë në Tiranë dhe Londër. SPAK ka zbuluar drejtuesit anëtarët, ndërsa në banesat e të akuzuarve u sekuestruan dhjetëra armë zjarri, municione, pajisje ushtarake dhe para. Armët trafikoheshin nga Porti i Durrësit të fshehura në mobilje të punuara enkas për të shmangur kontrollet në doganë.

Hetimet e kryera, kanë evidentuar një grup të strukturuar kriminal, i ndarë në dy nëngrupe që vepronin përkatësisht në Shqipëri dhe Mbretërinë e Bashkuar dhe është arritur identifikimi i anëtarëve dhe përgjegjësisë së tyre, informoi sot SPAK

Kush janë marrë të pandehur?

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka çuar për gjykim procedimin penal nr. 60/1 të vitit 2024 ndaj gjashtë të pandehurve: Adulla Hoxhaj, Almir Gjidiaj, Admir Tutaj, Alban Gjidiaj, Rifat Avdiaj dhe Bojken Turtulli.

Drejtuesi i grupit në Shqipëri dyshohet të jetë Adulla Hoxhaj, ndërsa në Britani rolin e drejtuesit e mbante Almir Gjidiaj. Pjesëtarët e tjerë shërbenin si transportues, pritës të “porosive” dhe ndihmës logjistikë për fshehjen dhe shpërndarjen e armëve.

Kush e drejtonte grupin në Tiranë?

A. Grupi kriminal në Shqipëri

Drejtues: Adulla Hoxhaj

Pjesëmarrës: Rifat Hoxhaj, Bojken Turtulli, Franko Gjalpi

"Nga analizimi i të gjitha fakteve dhe rrethanave ka rezultuar e provuar se i pandehuri, Adulla Hoxhaj është drejtues i nëngrupit, i cili  ka vepruar në territorin e Republikës së Shqipërisë. Ai ka koordinuar veprimet me anëtarët e tjerë të grupit në Shqipëri dhe Mbretërinë e Bashkuar. Ndërsa, të pandehurit: Bojken Turtulli dhe Rifat Avdija, si dhe bashkëipandehuri Franko Gjalpi, kanë luajtur rolin e ndihmësit në këtë aktivitet të paligjshëm kriminal.

B. Grupi kriminal në Mbretërinë e Bashkuar

Drejtues: Almir Gjidiaj.

Pjesëmarrës: Admir Tutaj dhe Alban Gjidiaj

Gjithashtu, ka rezultuar e provuar se i pandehuri tjetër Almir Gjidiaj, është drejtues i nëngrupit, i cili  ka vepruar në Mbretërinë e Bashkuar. Ai ka koordinuar veprimet e anëtarëve të tjerë të grupit në Mbretërinë e Bashkuar dhe Shqipëri. I pandehuri Admir Tutaj, është njëri prej pritësve të porosive në Mbretërinë e Bashkuar si edhe person i besuar i të pandehurit tjetër Alban Gjidiaj, të cilët kanë patur rolin e ndihmësve në këtë veprimtari të paligjshme kriminale.

Si kalonin armët nga Porti i Durrësit?

Sipas SPAK, grupi kriminal kishte siguruar një rrjet mbështetës në Shqipëri dhe në Britani, ku armët transportoheshin të fshehura në mobilje përmes kompanive të transportit.

Operacioni nisi pas kontrolleve të kryera më 10 prill 2023 në Portin e Durrësit, ku brenda një tavoline druri u zbuluan 8 pistoleta, krehëra dhe mbi 200 fishekë të kalibrit 9 mm, të destinuara për tregun britanik.

Nga aktet e administruara për këtë procedimi penal, ka rezultuar se më datë 10.4.2023, gjatë procesit të skanimit të një mjeti tip furgon me targa britanike, KS 15 MZN janë konstatuar anomali dhe është vendosur të bëhet kontrolli fizik i tij, pranë pikës së kontrollit.

Prej këtij kontrolli rezultoi se, në brendësi të një tavoline druri që ndodhej në këtë furgon u gjet e fshehur një sasi prej 8 armësh zjarri të llojit pistoleta, 4 krehëra pistoletë dhe 201 copë fishekë të kalibrit 9 mm.

Duke iu referuar zbulimit të sasisë së armëve dhe municionit luftarak të sekuestruar, me destinacion përfundimtar, Mbretërinë e Bashkuar, si dhe mënyrës se si organizatorët kanë siguruar dhe fshirë numrat e serisë në 6 prej armëve të zjarrit, është vlerësuar se ato nuk do të përdoreshin për vetëmbrojtje' informoi SPAK.

Në vazhdim të hetimeve, u identifikuan fillimisht Franko Gjalpi – tashmë i dënuar – dhe më pas bashkëpunëtorët e tjerë, të cilët kishin role të ndara në Shqipëri dhe Britani. Më 6 nëntor 2024, Gjalpi u shpall fajtor nga GJKKO dhe u dënua me 8 vite burg, vendim i cili u la në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin Nr. 8, datë 11.3.2025

Ku fshiheshin armët? 

SPAK thotë se fshehja e armëve në brendësi të produkteve të drurit bëhej në mobilieri në periferi të Tiranës ndërsa ishin të caktuar dhe dorëzuesit dhe pritësit. 

Organizatorët kishin gjetur një ambient të përshtatshëm dhe specialistë të fushës së mobilierisë në periferi të Tiranës, të cilët do të mundësonin fshehjen e armëve në brendësi të produkteve të drurit (për të mos u kapur nga kontrolli i strukturave të policisë dhe doganës). Ata kishin siguruar personat që do të bënin zhvendosjen e “porosive” tek kompania e transportit në Tiranë, përdorimin e gjeneraliteteve të rreme si nga dorëzuesit e porosive tek kompania e transportit, ashtu edhe nga pritësit e tyre në Mbretërinë e Bashkuar.

Po ashtu, vënia në dispozicion e mjetit të transportit dhe të komunikimit, si dhe shpërblimet respektive për çdo transport që kryej, kemi vlerësuar se numri i personave të përfshirë në këtë veprimtari kriminale është më i lartë se dy, duke konkluduar se ndodhemi para kryerjes së veprës penale objekt hetimi, jo në kuadër të bashkëpunimit të thjeshtë, por në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, informoi sot SPAK.

Kontrollet e mëtejshme, më 1 gusht 2024 në banesat e të dyshuarve, zbuluan një arsenal armësh që përfshinte 24 pistoleta, një automatik, 49 karikatorë, qindra fishekë, pajisje optike dhe lazer, pranga, veshje ushtarake dhe një helmetë të forcave speciale. U sekuestruan gjithashtu mjete motorike, pajisje elektronike dhe para në euro, lekë dhe një kartë SIM kosovare.

SPAK nënvizon se mënyra e organizimit, fshirja e numrave të serisë në armë, dhe teknikat e përdorura për transportim, vërtetojnë se veprimtaria kishte karakter të organizuar dhe qëllim kriminal afatgjatë. Hetimet u kryen në bashkëpunim me autoritetet britanike, Policinë e Shtetit dhe Byronë Kombëtare të Hetimit

Arsenali i sekuestruar 

Si rezultat i kontrolleve të ushtruara në Shqipëri, më datat 10.4.2023 në P.K.K Port Durrës, dhe 16.06.2023 në Tiranë, janë sekuestruar sendet e mëposhtme:

6 (gjashtë) armë zjarri të llojit pistoletë, marka “GLOCK”, me numra të fshirë me mbishkrim “Glock Austria 9 x 19”.
1 (një) armë zjarri të llojit pistoletë, marka “HERSTAL”, me numër 1534 P.
1 (një) armë zjarri të llojit pistoletë, marka “BROWNING”, me numër 2205.
4 (katër) krehra pistolete ngjyrë e zezë
201 (dyqind e një) copë fishekë kalibër 9 mm.
1 650 (njëmijë e gjashtë qind e pesëdhjetë) euro
31 700 (tridhjetë e një mijë e shtatëqind) lekë
8 (tetë) aparate telefonash celularë etj. 

Si rezultat i kontrolleve të ushtruara në Shqipëri, më datë 1.8.2024, kryesisht në banesën e të pandehurit Adulla Hoxhaj, si dhe në banesat e të pandehurve të tjerë, janë sekuestruar sendet e mëposhtme:

24 armë zjarri pistoletë
1 automatik kallashnikov
pjesë të ndryshme të armëve të zjarrit (gjilpëra, susta, shul, qyt etj.,)
49 krehra (karikator) të llojeve të ndryshme,
2 thika
409 fishekë të kalibrit të ndryshëm,
1 palë pranga
10 pajisje speciale optike dhe lazeri
4 automjete
1 motor
1 palë veshje ushtarake
1 helmetë e forcave speciale
4 aparate celularë
2 laptop
1 njësi qendrore
290 euro
13,000 lekë
kartë Sim Vala (kosovare).