Izraeli dhe Siria bien dakord për një armëpushim me ndërmjetësimin e SHBA-së
Angazhimin e tyre për të kthyer vëmendjen drejt dialogut dhe për të respektuar një armëpushim të qëndrueshëm në Siri, me ndërmjetësimin e SHBA-së, e shprehën zyrtarë izraelitë dhe sirianë gjatë një takimi të mbajtur ditën e djeshme në Paris, sipas të dërguarit amerikan, Tom Barak, dhe Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut.
Takimi u zhvillua me dyer të mbyllura dhe në të morën pjesë ministri izraelit i Çështjeve Strategjike, Ron Dermer, dhe ministri i Jashtëm i Sirisë, Asad al-Saibani.
“Qëllimi ynë ishte dialogu dhe ulja e tensioneve dhe kjo është pikërisht ajo që arritëm. Të gjitha palët përsëritën angazhimin e tyre për të vazhduar këto përpjekje,” shkroi Barak në një postim në rrjetet sociale.
Sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, marrëveshja për armëpushim parashikon tërheqjen e fiseve beduine dhe të forcave qeveritare siriane nga fshatrat e banuara nga druzët në zonën e Suëeidas.
Komitetet lokale të komunitetit druz do të verifikojnë mungesën e forcave të jashtme në terren, ndërsa këshillat e reja lokale do të marrin përsipër ofrimin e shërbimeve.
Gjithashtu, do të krijohet një komision nën mbikëqyrjen e SHBA për të monitoruar shkeljet e mundshme të marrëveshjes.
Marrëveshja përfshin edhe çmilitarizimin e qyteteve Kunetra dhe Dara, ku do të formohen komitete lokale sigurie të përbëra nga banorët vendas, me kushtin që të mos posedojnë armë të rënda.
Observatori thekson se më shumë se 1.300 persona janë vrarë për shkak të dhunës së vazhdueshme në provincën Suweida, përfshirë viktima nga sulmet ajrore izraelite dhe përleshjet ku janë përfshirë grupe të armatosura të lidhura me qeverinë siriane. Syri.net-CNN.gr