Nga Juventusi në shkretëtirë, rënia e shpejtë e Andrea Pirlos, tani në Serinë B të Dubait

Dikur simbol i elegancës në fushë dhe një prej mendjeve më të ndritura të futbollit italian, Andrea Pirlo vazhdon rrugëtimin e tij si trajner në një drejtim që pak e kishin parashikuar. Prej sot, ai është zyrtarisht trajner i Dubai United, skuadër që garon në kategorinë e dytë të futbollit të Emirateve, ekuivalenti i “Serie B” së Dubait.

Në planin jetësor, jeta në Dubai nuk është për t’u ankuar: klimë e ngrohtë, luks dhe pagë e majme. Por në planin profesional, për një që nisi si trajner i Juventusit të madh, ky është një hap i madh pas.

Historia e tij si trajner filloi me hov, ndoshta më shumë se ç’duhej. Vetëm tetë ditë pasi mori drejtimin e Juventus U-23, Pirlo u ngjit menjëherë në pankinën e ekipit të parë, duke zëvendësuar Maurizio Sarrin. Rezultati? Një sezon i vakët, një dokumentar në Amazon më shumë për PR sesa për lavdi sportive dhe një përfundim në vendin e katërt, që për një Juventus me nëntë tituj radhazi ishte një hap mbrapa.

Pas ndarjes me “Zonjën e Vjetër”, rruga e Pirlos nisi të zbresë. Fillimisht shkoi në Turqi, te Fatih Karagümrük, ku u largua para kohe pas rezultateve të dobëta. Më pas, u kthye në Itali për të drejtuar Sampdorian në Serinë B. Sezoni përfundoi me një vend të shtatë dhe eliminim të hershëm në playoff. Viti pasardhës ishte edhe më i vështirë: fillim i dobët, tension dhe më në fund shkarkim.

Tani, me valixhet në Emirate, Pirlo përballet me një realitet të ri, larg skenës madhështore ku dikur shkëlqente. Një rrëfim që duhet të shërbejë si paralajmërim për ata që mendojnë se suksesi si lojtar është garanci për sukses si trajner. Në fakt, ndonjëherë rruga më e shkurtër të çon më larg.