Krijohet tatuazhi i përkohshëm që zbulon drogat e përdhunimit brenda 1 sekonde
Shkencëtarët e Institutit Korean për Kërkime në Bioteknologji kanë krijuar një tatuazh të përkohshëm që mund të zbulojë praninë e drogave të përdhunimit si GHB (gamma-hydroxybutyrate) në një pije brenda një sekonde.
Kjo risi mund të ndihmojë në parandalimin e sulmeve seksuale të lidhura me drogimin e pijeve (DFSA), që janë një rrezik serioz, veçanërisht për gratë. Statistikat tregojnë se rreth një në 10 gra dhe një në 20 burra janë përballur me situata të tilla.
Si funksionon tatuazhi?
Tatuazhi është një ngjitës i hollë që përmban një përbërje kimike që reagon ndaj GHB-së. Kur një pikë pijeje e dyshimtë vihet mbi tatuazh, ai ndryshon ngjyrë nga e verdhë në të kuqe nëse zbulon drogën. Ky proces ndodh pothuajse menjëherë dhe tatuazhi e ruan ngjyrën deri në 30 ditë, duke e bërë të mundur edhe përdorimin si provë nëse është e nevojshme.
Tatuazhi u testua në pije të ndryshme, përfshirë birrë, vodka, uiski, soju dhe kafe, dhe funksionoi me saktësi edhe me përqendrime të ulëta të drogës.
Krahasimi me mjetet ekzistuese
Aktualisht, ekzistojnë shirita ose karta që mund të zbulojnë GHB-në, por ato janë më të ngadalta dhe më të vërejtshme, duke mos qenë praktike për përdorim diskret. Përkundrazi, tatuazhi i ri është i thjeshtë, diskret dhe i lehtë për t’u përdorur. Mjafton të zhysni gishtin në pije, ta prekni mbi tatuazh, dhe rezultati del menjëherë.
Si realizohet tatuazhi?
Studiuesit përdorën një shtresë plastike të hollë me dizajn tatuazhi dhe vendosën mbi të një përzierje xheli që përmban receptorë kimikë ndjeshëm ndaj GHB-së. Më pas, pjesa e pasme e tatuazhit u vesh me ngjitës për ta bërë të përshtatshëm për lëkurën.
Pse është e rëndësishme kjo?
Drogat si GHB-ja janë pa ngjyrë, pa erë dhe pa shije, ndaj është shumë e vështirë të kuptohet nëse një pije është droguar. Kjo mund ta bëjë viktimën të pavetëdijshme, të hutuar, me humbje kujtese apo edhe të pandërgjegjshme, duke e bërë më të lehtë abuzimin seksual apo vjedhjen.
Sipas organizatës Rape Crisis, drogimi i pijeve ndodh për motive të ndryshme, nga "shaka" të rrezikshme deri tek qëllime kriminale, por gjithmonë ka pasoja të rënda për viktimën dhe nuk është kurrë i pranueshëm.
Çfarë pritet më tej?
Edhe pse nuk është dhënë ende një datë për daljen në treg, studiuesit thonë se tatuazhi është i lirë për prodhim dhe do të jetë komercialisht i disponueshëm së shpejti. Ata shpresojnë që kjo teknologji do të ofrojë një mjet praktik për rritjen e sigurisë personale në ambiente me rrezik të lartë si klubet apo eventet sociale. / Daily Mail - Syri.net