Tre ushqimet që ju pengojnë të humbni peshë gjatë verës, sipas mjekut
Një mjek, specialist për humbjen e peshës, zbuloi tre ushqime “të shëndetshme” verore që në fakt mund t’ju shtojnë peshë në vend që t’ju ndihmojnë ta humbni atë.
Edhe pse duken si zgjedhje të sigurta gjatë verës, shpesh janë të mbushura me sheqer, yndyrë ose kalori dhe mund të jenë arsyeja pse nuk po arrini të humbni peshë.
Humbja e peshës gjatë verës mund të duket më e lehtë, pasi ka bollëk frutash dhe perimesh të freskëta e të shëndetshme.
Për më tepër, moti i ngrohtë zakonisht shoqërohet me një nevojë më të vogël për kalori.
Megjithatë, sipas profesorit Franklin Joseph, mjek dhe drejtues i Klinikës për Humbjen e Peshës ‘Dr Frank’, shumë njerëz bien në kurthin e asaj që ai e quan “aura e shëndetshme”, sepse ushqime që duken “të shëndetshme” mund të bëjnë më shumë dëm sesa dobi.
“Nuk ka të bëjë me heqjen dorë nga gjithçka, por me të kuptuarit se si disa ushqime, edhe ato që promovohen si të shëndetshme – mund të prishin qetësisht objektivat tuaja”, thekson ai.
Për shembull, edhe pse smoothie bowl-et janë shumëngjyrëshe, tërheqëse në rrjetet sociale dhe të mbushura me fruta, arra, fara dhe granola, mund të kenë më shumë kalori se një mëngjes i plotë, paralajmëron profesori.
“Njerëzit harrojnë se kur frutat bëhen pure, hiqet fibra bimore që ngadalëson përthithjen e sheqerit. Pastaj shtohen përbërës të ëmbël si mjalti, gjalpi i arrave dhe granola – dhe papritur keni një mëngjes prej 600 deri në 800 kalori që ju lë të uritur një orë më vonë”, shpjegon ai.
Në vend të kësaj, ai sugjeron të konsumohen fruta të plota me një burim proteine, si kosi apo një grusht i vogël arrash, për të ndihmuar në ndjenjën e ngopjes për më gjatë.
Po ashtu, pijet e ftohta me kafe mund të duken si një freski e lehtë, por shumë prej atyre që shiten në supermarkete apo kafene janë plot me shurup, kremra dhe qumësht të plotë.
“Disa prej tyre përmbajnë më shumë sheqer se një kanaçe Coca-Cola,” thotë profesori Joseph. Edhe pijet që shënohen si ‘light’ mund të përmbajnë ëmbëlsues apo shtesa që nxisin dëshirën për ushqim dhe shtojnë urinë më vonë gjatë ditës.
“Nëse po kujdeseni për peshën tuaj, zgjidhni një kafe të ftohtë të zezë me pak qumësht ose përgatiteni vetë në shtëpi, që të dini saktësisht çfarë përmban,” këshillon ai.
Edhe sallatat shpesh konsiderohen si opsioni ideal për humbje peshe, por ‘djalli fshihet te salca,’ sipas profesorit Joseph.
“Coleslaw, sallata me patate dhe ajo me makarona janë pjata bazë në një barbecue, por shpesh janë të mbytura në majonezë apo salca të trasha plot yndyrë dhe kalori. Edhe një porcion i vogël mund të kalojë 200 kalori, pa dhënë as fibra apo proteina të mjaftueshme,” shpjegon ai.
Ai sugjeron të zëvendësohen salcat e rënda me alternativa më të lehta si lëng limoni, uthull balsamike apo vaj ulliri me erëza. Gjithashtu, ai këshillon të pasurohen sallatat me perime të pjekura, bishtajore apo proteina pa yndyrë për të mbajtur ndjenjën e ngopjes.
Profesori Joseph thekson se vera sjell një stil ushqimi më të lirshëm dhe është shumë e lehtë të nënvlerësohen kaloritë e fshehura.
Këto ushqime nuk janë ‘të këqija’, por mund të grumbullohen ngadalë, veçanërisht nëse jeni në përpjekje për të humbur peshë.
“Pak më shumë kujdes – qoftë kjo të shmangni një sallatë me salcë të trashë, të përgatisni vetë kafenë e ftohtë apo të zgjidhni fruta të plota në vend të smoothie bowl, mund të bëjë një ndryshim të madh me kalimin e kohës,” përfundon ai.