SYRI TV/ MIE hap procedurë konkurrimi për kalatë, do t’i jepen privatit me koncesion
Koncesioni i Kalasë së Rozafës në Shkodër dhe i Kalasë së Lëkurësit në Sarandë ka sjellë reagimin e Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore. Ky i fundit e ka cilësuar nismën si “një shaka” dhe ka ngritur pikëpyetje të forta mbi qëllimin e vërtetë të përdorimit të Kalasë së Lëkurësit, duke pyetur nëse ajo është “picerí apo trashëgimi kulturore?”. Reagimi vjen pas njoftimit të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, e cila ka hapur një procedurë konkurrimi publik për dhënien në përdorim të hapësirave të shërbimit në dy monumentet e kulturës.
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka hapur një procedurë konkurrimi publik për dhënien në përdorim të hapësirave të shërbimit në dy monumente kulture të kategorisë së parë: Kalanë e Rozafës në Shkodër dhe Kalanë e Lëkurësit në Sarandë. Lidhur me këtë, ka ardhur edhe reagimi nga ana e Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, i cili ka dalë kundër kësaj procedure dhe vendimi. Përmes një reagimi publik, forumi e ka cilësuar nismën si “një shaka” dhe ka ngritur pikëpyetje të forta mbi qëllimin e vërtetë të përdorimit të Kalasë së Lëkurësit, duke pyetur nëse ajo është “picerí apo trashëgimi kulturore?”.
“Forumi kujton se Kalaja e Lëkurësit, e dhënë me qira që në kohën e ministrit Edi Rama, ishte parashikuar të shndërrohej në një pikë kulturore në shërbim të trashëgimisë së zonës. Sot, pas më shumë se 25 vitesh, ajo është kthyer në simbol të degradimit, ku vlera kulturore mungon pothuajse tërësisht,” thuhet në reagim.
Kalaja e Lëkurësit, e dhënë me qira nga ministri i Kulturës Edi Rama, ishte përcaktuar të kthehej në një pikë kulturore në shërbim të trashëgimisë së zonës. Pas 25 vitesh, kjo kala është simbol i përdhosjes së trashëgimisë, ku vetëm vlera kulturore nuk ka më. E ndërtuar nga Sulltan Sulejmani mbi rrënojat e një kishe bizantine, ajo është shndërruar në një seri restorantesh, picerish dhe kafenesh, duke i hequr çdo vlerë kulturore. Kontrata me privatin ka përfunduar dhe, ndërkohë, kjo kala duhet t’i kthehet publikut.
Ndryshe shprehet z. Gonxhja, i cili thotë se, në dobi të publikut, kjo kala duhet të vazhdojë "pjekjen e picave dhe tallavasë". Z. Gonxhja harron se ka përgjegjësi ligjore dhe morale për të mbrojtur trashëgiminë tonë kulturore dhe jo për të promovuar menunë e picave. A mund t’u shpjegohet shqiptarëve përse kjo kala nuk duhet të shërbejë si pikë e trashëgimisë kulturore? Përse shteti është i paaftë të administrojë një kala historike? Çfarë studimi është bërë nga Ministria e z. Gonxhja për të siguruar mënyrën më të mirë në dobi të publikut shqiptar?
Ndërkohë, Kalaja e Shkodrës, e njohur ndryshe si Kalaja e Rozafës, mbart jo vetëm historinë dhe trashëgiminë kulturore të qytetit, por edhe legjendën që i dha emrin – simbol i besës dhe sakrificës që sot rrezikon të zbehet nën hijen e komercializimit. Kujtojmë se Partia Socialiste, përpara se të vinte në pushtet, ka qenë kundër dhënies me qira të monumenteve kulturore, por sapo erdhi në pushtet, gjithçka ndryshoi dhe, përveç detit dhe malit, tashmë po ia jep privatit edhe kështjellat historike të vendit.