Lajme të këqija për jetën jashtëtokësore? Planetët e ngjashëm me Tokën mund të jenë më të rrallë se ç’mendonim
Rreth 200 planetë jashtë sistemit tonë diellor mund të jenë më të mëdhenj sesa mendohej më parë, çka mund të ndikojë në kërkimin për jetë jashtëtokësore, sipas një studimi të ri.
Studiues nga Universiteti i Kalifornisë analizuan të dhënat e mbledhura nga teleskopi hapësinor TESS i NASA-s, që identifikon ekzoplanetë duke matur rënien e lehtë të dritës kur ata kalojnë përpara yllit të tyre. Por sipas ekipit, drita nga yjet fqinjë mund të "ndotë" të dhënat, duke bërë që planetët të duken më të vegjël sesa janë realisht.
"Kjo do të thotë se mund të kemi zbuluar më pak planetë të ngjashëm me Tokën sesa kemi menduar deri tani," tha udhëheqësi i studimit Te Han.
Metoda e tranzitit, e përdorur nga TESS, është aktualisht mënyra më e suksesshme për të zbuluar planetë jashtë sistemit tonë. Ajo funksionon më mirë për planetë të mëdhenj dhe që rrotullohen afër yllit të tyre, pasi ata kalojnë më shpesh përpara yllit.
Ekipi përdori modele kompjuterike dhe të dhëna nga misioni Gaia i ESA-s për të matur ndikimin e ndotjes së dritës dhe korrigjoi vlerësimet për madhësinë e planetëve. Ata zbuluan se shumë ekzoplanetë janë më të mëdhenj sesa mendohej më parë.
Ky zbulim vë në pikëpyetje sa të zakonshëm janë vërtet planetët e ngjashëm me Tokën. Deri tani, vetëm tre sisteme me një planet të zbuluara nga TESS janë konsideruar si potencialisht të ngjashme me Tokën, por me korrigjimet e reja, edhe ato mund të jenë më të mëdha.
Kjo nënkupton se shumë nga këta planetë janë në të vërtetë botë oqeanike të quajtura "hycean", të mbuluara nga ujë, ose planetë të vegjël gazorë si Neptuni. Edhe pse të pasur me ujë, këto botë mund të mos kenë përbërës të tjerë të nevojshëm për jetën.
Studiuesit planifikojnë të rishikojnë planetët që më parë janë përjashtuar si të pabanueshëm, për të parë nëse ata mund të jenë më interesantë nga sa mendohej.
Ndërkohë, zbulimi është një kujtesë për astronomët që të jenë të kujdesshëm në interpretimin e të dhënave nga TESS. / Live Science - Syri.net