Vllaznia falënderon tifozët: Falë jush, fituam më shumë se një ndeshje!

Pas rikthimit në “Loro Boriçi” dhe një fitoreje të rëndësishme 2-1 ndaj Vikingur-it, Vllaznia ka zgjedhur të përcjellë një mesazh të veçantë mirënjohjeje për tifozët e saj kuqeblu, që si gjithmonë ishin aty, të shumtë dhe të zjarrtë, përkrah skuadrës.

Edhe pse ndeshja nisi me vështirësi dhe pjesa e parë u mbyll me disavantazh për shkodranët, mbështetja e mbi 5 mijë tifozëve në stadium ishte shtysa vendimtare që skuadra të reagojë dhe të përmbysë gjithçka në pjesën e dytë. Emocioni në shkallët e stadiumit dhe energjia që vjen nga tribunat, shpeshherë vlen më shumë se çdo skemë taktike.

Për këtë arsye, klubi nuk e la pa reagim dhe nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale u shpreh me fjalë të ndjera:

"Faleminderit për gjithçka që dhatë në ndeshjen ndaj Vikingur-it. Zëri juaj, entuziazmi dhe dashuria për këto ngjyra janë arsyeja pse besojmë dhe luftojmë çdo minutë në fushë. Falë jush, ne nuk jemi kurrë vetëm. Falë jush, ne luftojmë deri në fund. Ju jeni zemra e kësaj skuadre!"

Me këtë fitore, Vllaznia hedh një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit në turin tjetër të “UEFA Europa Conference League”, por më e rëndësishmja është se ka rikthyer entuziazmin në tribuna dhe ka dëshmuar se në Shkodër, futbolli është më shumë se një lojë, është një bashkim zemrash nën ngjyrat kuqeblu.