SYRI TV/ Festim Bezhdili dënohet me burg përjetë, vendimi merret nga Gjykata e Posaçme e Apelit
Burgim i përjetshëm për kopshtarin e kompleksit “Golden”, Festim Bexhdili – Apeli i Posaçëm lë në fuqi vendimin e shkallës së parë
Apeli i Posaçëm ka vendosur burgim të përjetshëm për kopshtarin e kompleksit “Golden”, Festim Bexhdili, i cili akuzohet për rrëmbimin dhe fshehjen e trupit të Jan Prengës. Gjatë gjykimit të çështjes ka pasur përplasje mes prokurorëve Behar Dibra dhe Elida Kaçkini.
Prokurorja Kaçkini deklaroi se Bexhdili ishte pjesë e grupit kriminal të Hajrajve, ndërsa prokurori Dibra argumentoi se ai ishte i detyruar të merrte pjesë në fshehjen e trupit të Jan Prengës, pasi ishte shtyrë nga punëdhënësi i tij, Altin Hajri. Prenga ishte rrëmbyer si pasojë e fshehjes së një sasie droge në Angli nga vëllai i tij, Astrit Prenga.
Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi vendimin e shkallës së parë për Festim Bexhdilin, duke e dënuar përfundimisht me burgim të përjetshëm. Trupa gjykuese, me kryesues Engert Pëllumbin, pranoi kërkesën e prokurores Kaçkini, e cila argumentoi se Bexhdili kishte qenë pjesë e një grupi kriminal.
Ndërkohë, prokurori Behar Dibra kërkoi një dënim më të lehtë për Bexhdilin, duke propozuar 20 vite burg. Sipas Dibrës, Bexhdili kishte vepruar nën presion, duke qenë i punësuar në kompleksin “Golden” dhe kushëri i Altin Hajrit.
Festim Bexhdili ishte kopshtar në resortin “Golden” në Shijak, nga garazhi i të cilit u transportua trupi i gjymtuar i Jan Prengës. SPAK administroi orë të tëra pamje filmike nga kamerat e sigurisë së resortit, të cilat konfirmuan lëvizjet e personave të përfshirë në ngjarje.
Në këto pamje shfaqen rrëmbyesit, përfshirë Hajrin dhe Bexhdilin, duke fshehur prova si armë zjarri dhe fenelina policie. Trupi i Jan Prengës qëndroi në tokë për më shumë se gjashtë orë pa lëvizur, çka, sipas SPAK, konfirmon se ai kishte ndërruar jetë.
Prenga u rrëmbye pasi vëllai i tij, Astrit Prenga, kishte grabitur një sasi prej 260 kilogramësh heroinë në Portsmuth të Britanisë së Madhe. Për të detyruar kthimin e drogës, Dritan Rexhepi – në atë kohë i burgosur në një burg të sigurisë së lartë në Ekuador dhe Gentian Docaj Funiqi urdhëruan rrëmbimin e Jan Prengës. Për këtë ngjarje, SPAK ka ngritur akuza ndaj Dritan Rexhepit dhe Altin Hajrit.