Ndryshimi i çmimeve të referencës, Buxhuku: Shpresoj që Shqipëria të mos preket nga një krizë e pritshme e industrisë së ndërtimit
I ftuar në edicionin e mesditës në Syri tv ka qenë eksperti i ekonomisë dhe kreu i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku.
Ai ka komentuar ndryshimin në çmimet e referencës për banesat propozuar së fundmi nga qeveria. Ai tha se kemi arritur në pjesën e sipërme te kurbës së çmimeve dhe nuk dihet se si do shkojnë më tej. Ka mundësi që çmimet të bien. Dhe nëse ngrihen çmimet e referencës krijon problem edhe për biznesin edhe për konsumatorin tha kreu i konfindustrisë Buxhuku, në bisedë më moderatorin Arnold Kariqi.
Gjergj Buxhuku: Fakti i padiskutueshëm është që çmimet në Shqipëri janë të rritura. Por mendoj se ka një problem se në bazë të të thënave që vijnë, tregon që praktikisht kemi arritur në një kurbë, në pjesën e sipërme të kurbës së çmimeve dhe nuk dihet se si ato do të shkojnë më tej. Pra ka shumë mundësi që çmimet e pasurive të paluajtshme të bien dhe padyshim kjo do të jetë një pengesë e madhe për bizneset, po ashtu edhe për konsumatorët, në qoftë se ngrihen çmimet e referencës, se pari kjo.
Së dyti. Të mos harrojmë që çmimet e referencës janë të lidhura drejtpërdrejt me taksat vjetore që qytetarët paguajnë, sepse mbi bazën e tyre bëhet përllogaritja e taksave të shtëpive dhe banesave të bizneseve të cilat paguhen çdo vit qoftë nga qytetarët, qoftë edhe nga bizneset dhe rritja e ndjeshme e çmimeve të referencës do të bëjë që të rëndohet shumë edhe xhepi i konsumatorëve shqiptarë që preken dyfish. Preken njëherë nga rritja e taksave që e paguajnë nga xhepi i tyre në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe pastaj së dyti preken nga fakti që bizneset si pasojë e rritjes së çmimeve të referencës dhe të taksave që ata paguajnë si rrjedhojë do detyrohen që këto rritje ti transmetojnë tek çmimet e produkteve dhe të shërbimeve që ata japin. Dhe natyrisht që do të jene qytetarët shqiptarë që do të ngarkohen.
Sepse rritja e çmimit të mallrave të prodhuara dhe shërbimeve të ofruara, natyrisht behet për qytetarët shqiptarë në radhë të parë. Dhe prandaj e them që është problematike. Ndërkohë për sa i përket zonave turistike, unë jam dakord që të rriten çmimet e referencës. Por këtu duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Me sa jemi ne në dijeni, në fakt kulmin e rritjes së çmimit të referencës e mban zona e portit të Durrësit. Që është normale, kjo që është dhënë pë resort dhe ishulli i Sazanit. Kjo bën sens në fakt, por problematike është me një pjesë tjetër të pasurive të pluajtshme të cilat shtrihen në zonat e brendshëm të Shqipërisë. Në qytetet kryesore dhe në fshatrat shqiptare. Unë këtë mund të ju them, për sa i përket panoramës të çmimeve të rreja. Nuk e di, shpresoj që Shqipëria të mos preket nga një krizë e pritshme e industrisë së ndërtimit.
Arnold Kariqi: Kur thoni krizë e pritshme, keni parasysh këtë ndërtimin e pafundmë që po ndodh në të gjithë Shqipërinë e apartamente të mbetura të pashitura?
Gjergj Buxhuku: Po, kam parasysh pikërisht këtë. Sepse mund të jetë krijuar një flluskë e cila pritet të plasi në ndërtim. Kjo rritje e madhe e çmimeve dhe e ofertës në treg të dyja të kombinuara bashkë mund të sjellin edhe problematika piramidale. Pra flluska te cilat mund të plasin dhe nëse plasin, pastaj janë problematike jo vetëm për biznesin e fushës, por janë problematik edhe për ekonominë shqiptare. Duke patur parasysh vendin që zë ndërtimi në ekonominë shqiptare. Kështu që situata nuk është kaq rozë sa na paraqitet.