Macron deklaroi se Franca do njoh Palestinën, Mahmoud Abbas: Fitore për çështjen tonë!
Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, e cilësoi si një “fitore për çështjen palestineze” njoftimin e Presidentit francez Emmanuel Macron për njohjen e ardhshme të shtetit të Palestinës.
“Kjo pasqyron angazhimin e Francës për të mbështetur popullin palestinez dhe të drejtat e tij legjitime mbi tokën dhe atdheun e vet”, deklaroi Abbas, duke komentuar zhvillimin përmes një deklarate të transmetuar nga agjencia zyrtare palestineze WAFA.
Në të njëjtën deklaratë, presidenti Abbas theksoi se Arabia Saudite luajti një “rol kyç” në vendimin e Francës për të përkrahur njohjen e shtetit palestinez, duke e cilësuar përfshirjen e Riadit si thelbësore në diplomacinë rajonale.
Më tej, Abbas u bëri thirrje të gjitha shteteve dhe në veçanti vendeve të Evropës që ende nuk e kanë njohur shtetin e Palestinës, të ndërmarrin këtë hap bazuar në zgjidhjen e njohur ndërkombëtarisht me dy shtete, si rruga më e drejtë drejt paqes dhe stabilitetit në rajon.
Ky reagim vjen në një moment kritik për përpjekjet ndërkombëtare drejt një zgjidhjeje afatgjatë të konfliktit izraelito-palestinez, mes tensioneve të vazhdueshme dhe përpjekjeve për rifillim të bisedimeve.