Alimehmeti: Bashkia e Tiranës funksionon pa drejtim, taksat mblidhen nga qytetarët, ndërsa shërbimet mungojnë
Kryetari i grupit të këshilltarëve të opozitës në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Ilir Alimehmeti, në një lidhje Skype për emisionin “Kafe Shqeto”, ka komentuar situatën e tensionuar dhe kaotike që po kalon Bashkia e Tiranës, duke evidentuar një sërë problematikash që po minojnë funksionimin normal të institucioneve vendore dhe po rëndojnë mbi qytetarët.
Alimehmeti u ndal fillimisht te fakti që prej më shumë se dy vitesh mediat nuk lejohen të ndjekin nga afër mbledhjet e Këshillit Bashkiak, me justifikime që ai i cilësoi "fëminore", siç është pretendimi se gazetarët prishin rendin e mbledhjeve.
“Nëse ka parë ndonjë njeri ndonjë gazetar që prish një mbledhje parlamentare apo të këshillave bashkiakë, le ta thotë. E qartë që qëllimi është të fshihet ajo që ndodh aty brenda,” u shpreh ai.
Më tej, ai ngriti si shqetësim kryesor mungesën e gjatë të kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj, i cili sipas tij është i munguar prej pesë muajsh, ndërkohë që ligji parashikon qartë se nëse një kryebashkiak mungon për më shumë se tre muaj, Këshilli Bashkiak ka detyrimin të propozojë shkarkimin e tij pranë Këshillit të Ministrave.
“Kjo është ndoshta tema më e rëndësishme që duhet të trajtojë Këshilli Bashkiak: kemi një bashki pa kryetar, me një nënkryetar të shkarkuar nga Edi Rama, me një kryetare në detyrë të emëruar gjithashtu nga Rama dhe me një pjesë të madhe të drejtorëve që janë detyruar të japin dorëheqjen,” tha Alimehmeti.
Pjesë nga deklarata:
"E para, sa i përket atij diskutimi që ju e patët në insert, ku për dy vjet mediat nuk u lejuan që të merrnin pjesë në mbledhjet e Këshillit Bashkiak sepse me justifikimin fëminor që gazetarët prishnin mbledhjen.
Nëse ju keni parë diku ndonjëherë një gazetar që e prish mbledhjen nëpër këshille bashkiake apo parlamentare, e kuptoni qartë se është dëshirë për të mbuluar gjithçka ndodh aty brenda.
Përfshirë faktin që e kemi shumë të qartë kryetarin e Bashkisë, Veliaj, që është në urg prej 5 muajsh dhe ligji e thotë mirë se nëse nuk paraqitet në detyrë për 3 muaj, Këshilli Bashkiak duhet të çojë propozimin Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij.
Kjo në fakt është tema më e rëndësishme që duhet të ketë ky Këshill Bashkiak: pa kryetar bashkie, me nënkryetar të shkarkuar nga Edi Rama, me një kryetare në detyrë të emëruar po nga Rama, me drejtorë të cilët nuk ishin të pranishëm pasi u është kërkuar dorëheqja shumicës së drejtorëve, Këshilli Bashkiak nuk kishte asnjë fjalë për të folur për këtë e madje për çështjen Erion Veliaj nuk guxojnë të shprehen.
Fakt është që këta nuk po bëjnë detyrën e tyre dhe ne jemi të detyruar të veprojmë në rrugë ligjore, për sa kohë që Këshilli Bashkiak nuk bën detyrën e tij. Thonë vetëm "e kemi diskutuar" dhe pyetja direkte që i bëra kryetares në detyrë ishte: “Okej, e keni diskutuar, po ku është përfundimi?”
Në 6 muaj vetëm gjysma e investimeve është kryer në Tiranë, ndërkohë taksat e gjobat na merren, futet dora thellë në xhep, ndërkohë që për investimet kanë justifikime: “jo po pati një problem”. Por si pati problem? 90% e buxhetit të Bashkisë me problem? Kjo është Bashkia e Tiranës, dhe këta kanë frikë të ecin para me investimet, e ne e kemi të qartë se çfarë po ndodh aty brenda".