SHBA/ Trump mesazh pajtimi me Musk pasi Tesla pësoi rënie të fortë në Wall Street

Presidenti i SHBA, Donald Trump, deklaroi sot se nuk ka ndërmend të shkatërrojë kompanitë e Elon Musk duke reduktuar subvencionet federale, dhe tha se dëshiron që bizneset e miliarderit të teknologjisë të lulëzojnë.

“Të gjithë thonë se do të shkatërroj kompanitë e Elon duke hequr disa, ose të gjitha, subvencionet e mëdha që merr nga qeveria amerikane. Kjo nuk është e vërtetë,” shkroi Trump në një postim në rrjetet sociale.

Unë dua që Elon dhe të gjitha bizneset në vendin tonë të lulëzojnë.”

Deklarata e tij vjen pas paralajmërimit që Musk i bëri investitorëve të Tesla-s dje, ku tha se prerjet e subvencioneve nga qeveria amerikane për prodhuesit e makinave elektrike mund të sjellin “disa tremujorë të vështirë” për kompaninë.

Elon Musk shpenzoi më shumë se 250 milionë dollarë për të ndihmuar Trump të fitojë zgjedhjet presidenciale të nëntorit dhe udhëhoqi përpjekjet e ministrisë për efikasitet qeveritar për të ulur buxhetin dhe stafët federalë.

CEO i Tesla-s u largua nga qeveria në fund të majit për t’u fokusuar sërish në perandorinë e tij teknologjike.

Trump dhe Musk u përplasën pak më vonë, kur Musk kritikoi publikisht uljet e taksave të presidentit republikan, çka çoi në kërcënime nga Trump për anulimin e kontratave federale me vlerë miliarda dollarë me kompanitë e Musk.

Rënie 8% e Tesla-s në Wall Street pas uljes së shitjeve në tremujorin e dytë

Aksionet e kompanisë së makinave elektrike Tesla ranë mbi 8% sot në Wall Street, pas publikimit të rezultateve për tremujorin e dytë, ku u regjistrua një ulje e shitjeve.

Rreth orës 16:15 me tonën, aksionet e Tesla-s ranë 8.45% në 304.45 dollarë. Që nga fillimi i vitit, aksionet kanë humbur rreth 20%.

Kompania njoftoi dje një rënie prej 16% të fitimeve neto për tremujorin e dytë, e ndikuar nga ulja e shitjeve të makinave në një klimë konkurrence dhe pasojat e angazhimit politik të pronarit Elon Musk në SHBA.

Nga prilli në qershor, kompania arriti një xhiro prej 22.5 miliardë dollarësh (-12% në bazë vjetore) dhe fitime neto prej 1.17 miliardë, më pak sesa pritjet e analistëve.

“Mund të kemi disa tremujorë të vështirë… Tremujori i katërt (2025), tremujori i parë dhe i dyti (2026),” tha Elon Musk dje gjatë një konferencë telefonike. Syri.net-Kathimerini