Ndërpriten bisedimet për armëpushim në Gaza, SHBA: Hamas nuk do paqe! Macron: Franca njeh Shtetin Palestinez

I dërguari special i Shtëpisë së Bardhë për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, njoftoi ndërprerjen e bisedimeve në Katar për një armëpushim në Gaza, duke akuzuar Hamasin se “nuk po vepron me mirëbesim”.

Sipas Witkoff, përgjigjja më e fundit e Hamasit “tregon mungesë vullneti për të arritur një marrëveshje armëpushimi”.

I dërguari i Donald Trump shtoi se Shtetet e Bashkuara “do të shqyrtojnë alternativa të tjera” për të kthyer pengjet izraelite në shtëpi.

Edhe Departamenti i Shtetit Amerikan ka akuzuar Hamasin se “ka shkelur vazhdimisht” marrëveshjet për armëpushim në Gaza.

“Është e qartë nga deklaratat e të dërguarit special Steve Witkoff – sqaroi zëdhënësi Tommy Pigott – se Hamas nuk vepron në mënyrë që të arrihet një armëpushim. Nuk vihet në dyshim angazhimi ynë për paqe, por vullneti i Hamasit për të ndalur luftën.”

Ndërkohë kryeministri britanik Keir Starmer njoftoi një konsultim urgjent nesër me liderët e Francës dhe Gjermanisë, pas dështimit të bisedimeve të Dohas mes Izraelit dhe Hamasit.

Gjatë kësaj thirrjeje, tre vendet europiane do të diskutojnë se çfarë masash “mund të ndërmerren menjëherë për të ndalur masakrat dhe për t’i siguruar popullsisë ushqimin që i nevojitet me dëshpërim”, shtoi Starmer.

Ai përsëriti gjithashtu domosdoshmërinë e një armëpushimi që “na çon drejt njohjes së një shteti palestinez”. Ndërkohë Presidenti francez Emmanuel Macron ka deklaruar se do të njohë Shtetin Palestinez, shkruan Corriere della Sera.