14% e të gjitha vdekjeve në Europë lidhen me faktorë mjedisorë

Sipas Agjencisë Europiane për Mjedisin, rreth 14% e vdekjeve në Bashkimin Evropian lidhen drejtpërdrejt me faktorë mjedisorë, veçanërisht me ndotjen. Ky është një tregues i qartë i ndikimit që ka gjendja e ekosistemit në shëndetin e njeriut. Lidhja midis degradimit të mjedisit dhe shtimit të rasteve me sëmundje të rënda është gjithnjë e më e dokumentuar, sidomos në zonat urbane dhe industriale. Sëmundjet respiratore, kardiovaskulare dhe disa forma të kancerit janë vetëm disa nga patologjitë që lidhen me afërsinë e vendeve të ndotura.

Për t’iu përgjigjur kësaj situate, në qershor të vitit 2024 ka hyrë në fuqi ligji i ri europian për restaurimin e natyrës. Kjo nismë synon të mbrojë biodiversitetin dhe të luftojë pasojat e ndotjes në shkallë të gjerë.

Një ligj për të rikthyer natyrën dhe shëndetin

Ligji për restaurimin e natyrës synon të nxisë rikuperimin e habitateve dhe ekosistemeve të dëmtuara, jo vetëm për mbrojtjen e mjedisit, por edhe për të sjellë përfitime ekonomike e sociale. Në Itali, ku ekzistojnë qindra zona të kontaminuara, ky ligj mund të shërbejë si bazë për ndërhyrje pastruese dhe ulje të rreziqeve shëndetësore, duke ndikuar pozitivisht edhe në tregun e punës. Megjithatë, për të qenë efektiv, ai duhet të zbatohet në mënyrë të shpejtë dhe të integruar në të gjitha vendet anëtare, duke përfshirë edhe shëndetin publik.

Shëndeti i njeriut dhe mirëqenia e kafshëve

Lidhja mes mjedisit, shëndetit të njeriut dhe atij të kafshëve nuk ka qenë kurrë më e qartë. Sëmundjet infektive të transmetuara nga kafshët te njerëzit janë një fenomen i njohur dhe i dokumentuar, sidomos kohët e fundit. Ndotja mjedisore dëmton shëndetin e shumë specieve të gjalla dhe me kalimin e kohës mund të nxisë përhapjen e patogjenëve zoonotikë. Prandaj, sipas ekspertëve, mbrojtja e mirëqenies së kafshëve nuk është vetëm çështje etike, por një përparësi për shëndetin publik.

Angazhimi i One Health Foundation

Në konferencën e fundit në Parlamentin Europian, One Health Foundation bëri thirrje që zbatimi i ligjit të ri të përfshijë qartësisht dimensionin shëndetësor. Aktive prej më shumë se dy vitesh, kjo organizatë ka realizuar fushata informuese, mbi 6 mijë vizita mjekësore falas dhe nisma parandaluese, përfshirë edhe vaksinime për kategori në rrezik. “Europa ka sot një mundësi të shkëlqyer përmes këtij ligji. Restaurimi i mjedisit është thelbësor, por duhet më shumë vëmendje edhe për promovimin e shëndetit”, deklaroi për ANSA Rossana Berardi, presidente e fondacionit dhe profesore e onkologjisë në Universitetin Politeknik të Markeve. “Vetëm ndotja e ajrit lidhet drejtpërdrejt me shumë sëmundje të rënda, përfshirë kancerin, sëmundjet respiratore dhe ato të zemrës.”