SYRI TV/ Veliaj i pandehur, debate në Këshillin Bashkiak, Alimehmeti: Kullë tek Pallati i Kongreseve
Këshilli Bashkiak i Tiranës është përfshirë nga debate të ashpra pasi mazhoranca socialiste refuzon të fusë në rendin e ditës diskutimin e pozicionit juridik të kreut të arrestuar të bashkisë Erion Veliaj, i cili nuk ushtron prej muajsh detyrën e tij.
Nënkryetari i Këshillit Bashkiak Dorian Teliti tha se nisur nga zhvillimet e fundit ku Erion Veliaj është marrë i pandehur nga prokuroria, është domosdoshmëri futja në rend dite e diskutimit të kësaj çështje.
Këshilltari bashkiak i PD-së, Dorjan Teliti, theksoi se me menaxhimin e Bashkisë Tiranë po merren persona të cilët nuk kanë lidhje me këtë administratë, ku sipas tij kjo është një shkelje e nenit 50 atë të vetëqeverisjes vendore.
“Kemi dy muaj që kemi dorëzuar në këshillin e Tiranës dhe sekretariatin e këshillit bashkiak, kërkesën për të trajtuar pozicionin juridik të kryetarit të bashkisë Tiranë, i cili sot nuk gjendet në detyrë. Dhe për më tepër nga zhvillimet e djeshme ku Erion Veliaj kryetar de jur i bashkisë Tiranë, dhe ai nuk është thjesht një person nën hetim por është marrë i pandehur.
Është domosdoshmëri e legjislatorit të Tiranës, për të futur në rendin e diskutimit për situatën aktuale të menaxhimit të Bashkisë Tiranës. Po dëgjojmë për konkurse, po dëgjojmë për intervista, po dëgjojmë për thirrje të drejtorave edhe nga staf apo persona politik, që nuk janë pjesë e strukturave të Bashkisë Tiranë. Të vetmet autoritete që kanë të drejtën për menaxhimin e punëve, dhe sipas nenit 50, ligjin e vetëqeverisjes vendore që të gjitha proceset duhet të diskutohen nga këshilli bashkiak këtu duhet të bëhet diskutimi.” tha Teliti
Opozita po kërkon me insistim shkarkimin e Erion Veliajt dhe hapjen rrugë të zgjedhjeve të reja në Bashkinë e Tiranës.
Në mbledhjen e sotme të këshillit ka pasur debate të forta edhe për një nga pikat e rendit të ditës që lidhet me kalimin e pronësisë së Pallatit të Kongreseve nga Bashkia e Tiranës tek ministria e ekonomisë.
Nën kamuflimin e rijetëzimit, duket se qeveria ka plane të tjera për këtë godinë, e cila ndodhet në zonën më të lakmuar të kryeqytetit. Kryetarja e komanduar e bashkisë, Anuela Ristani, u përpoq të minimizonte vlerën e hapësirës që do jepet, duke e etiketuar atë si një rrip të vogël, frazë e cila është replikuar me ironi nga kreu i këshilltarëve demokratë Ilir Alimehmeti.
“Ai rripi i vogël në Pallatin e Kongreseve është 2261 m kuadrat sipas shkresës që na keni sjellë, juve a jeni në djeni do të ndërtohet një kullë atje. Nëse ju nuk e jeni në djeni atëherë po ju konfirmojmë në që ai plan është.” tha Alimehmeti.
“Nëse ju e keni planin ndajeni me ne, nuk është fare në fushën time funksionale por ajde ta diskutojmë kështu për qejf për hobi.” reagoi Ristani.
Rripi i vogël i Ristanit pritet të zgjerohet ashtu si pikëza e vogël e Mirela Kumbaros në gjirin e manastirit në Sarandë.