SHBA/ Elon Musk hap një restorant në Los Angeles
Manjati i teknologjisë, Elon Musk, zgjerohet edhe në industrinë e restoranteve me hapjen e Tesla Diner, një vend ku mund të shijosh ushqim klasik amerikan, të argëtohesh dhe të karikosh makinën tënde elektrike me shpejtësi.
Që prej 21 korrikut, Tesla Diner-i i parë u hap në Santa Monica Boulevard, Los Angeles, duke u shndërruar në një destinacion të ri për adhuruesit e markës dhe jo vetëm. Musk e përshkruan këtë hapësirë si 'një ishull me ushqim të mirë, argëtim dhe karikim'.
Ideja për këtë projekt ka nisur që në 2018, por u materializua në 2023, kur Tesla Diner zëvendësoi picerinë e vjetër në rrugën historike Route 66. Me dy kate dhe një sipërfaqe prej rreth 9,300 m², lokali ofron hapësira të bollshme: 3,800 m² në katin e parë dhe 5,500 m² në verandën me pamje nga jashtë dhe shërbim bar në katin e dytë.
Vizitorët kanë në dispozicion ushqim fast food, 80 pika karikimi Supercharger dhe çati me panele diellore. Për argëtimin e tyre, Tesla ka ngritur edhe një kinema drive-in me dy ekrane gjigantë 20 metra.
Tesla Diner funksionon 24 orë në ditë dhe në menynë e tij përfshihen burgera, hot dog, krahë pule dhe milkshake, të gjitha shërbyer në paketime të veçanta “Cybertruck”. Kuzhinën e drejton shefi Eric Greenspan, në bashkëpunim me Bill Chait.
Për më tepër, klientët mund të shikojnë filma nga veranda ose nga makina e tyre përmes aplikacionit Tesla Diner. Brenda ambientit ndodhen gjithashtu produkte Tesla dhe roboti Optimus, që shërben si kamarier duke shpërndarë kokoshka.
Tesla synon të zgjerojë këtë koncept, duke hapur më shumë Tesla Diner në SHBA dhe më pas në qytete të tjera të mëdha globalisht, me kusht që projekti të ketë sukses. Elon Musk e quan këtë vend 'pikën më cool të Los Angeles-it'. Syri.net-Protothema