SYRI TV/ Shqipëria 'digjet' nga zjarret e verës, vijon prej javësh zjarri në Dukat
Prej javësh Shqipëria vijon të digjet tashmë. Situata dramatike mbetet ajo në malin e Dukatit në Vlorë, ku zjarri tashmë ka prekur dhe parkun kombëtar të Llogarasë. Ndërhyrja për shuarjen e flakëve po bëhet nga ajri, pasi terreni i vështirë pamundëson ndërhyrjen nga toka. Zjarre janë raportuar edhe në Gjirokastër dhe Finiq, ku një person është marrë nën hetim.
Dhjetëra hektarë me pyje pishe, në Parkun Kombëtar të Llogarasë dhe në malin e Shën Gjergjit në Dukat, vijojnë të shkrumbohen nga zjarri. Terreni i vështirë dhe kushtet klimatike në disfavor kanë penguar punën e forcave zjarrfikëse për ndërhyrje nga toka. Ndërkohë puna për shuarjen e flakëve vijon nga ajri.
Gjatë orëve të vona të mbrëmjes kanë qenë kritike për aktivizimin e vatrave të zjarrit. Edhe përgjatë të mërkurës flakët u përhapën për shkak të erave, duke iu afruar më tepër Parkut Kombëtar të Llogarasë. Një vatër zjarri e madhe u raportua edhe në bashkinë Selenicë, në fshatin Sevaster. Si pasojë është shkrumbuar një sipërfaqe e konsiderueshme me bimësi, pemë dhe shkurre. Dyshohet se zjarri është i qëllimshëm për hapje kullotash, ndërsa nga flakët u rrezikuan edhe stanet e bagëtive.
Vatër aktive zjarri u raportua edhe në fshatin Kardhiq në Gjirokastër. Flakët janë përhapur me shpejtësi për shkak të erës, ndërsa kanë ndërhyrë forcat zjarrfikëse për shuarjen e tyre.
Për zjarrin e rënë një ditë më parë në bashkinë Finiq, është marrë nën hetim një 59-vjeçar. Ai dyshohet se ndezi zjarr në mënyrë të qëllimshme gjatë mbrëmjes së djeshme dhe dogji një sipërfaqe me bimësi më malin e Finiqit. Për pasojë është shkrumbuar një sipërfaqe toke me shkurre dhe bimësi të dendur. Situata ka shkaktuar panik në zonë nga përhapja e flakëve. Ndërkohë materialet hetimore i kaluan prokurorisë së Sarandës.