Arbenita Curraj kalon në elitën italiane, nga Vllaznia te Genoa, një hap historik në karrierë
Një tjetër emër i rëndësishëm i futbollit të femrave shqiptar ngjitet në një nivel më të lartë të garës ndërkombëtare. Arbenita Curraj, mbrojtëse e Kombëtares shqiptare, është zyrtarisht pjesë e skuadrës italiane të Genoas, që këtë sezon do të garojë në Serinë A, një nga kampionatet më të forta të Europës në futbollin e femrave.
Pasi shkëlqeu me Hajvalinë në Kosovë dhe më pas u bë një nga shtyllat kryesore të Vllaznisë, Curraj ka kurorëzuar një rrugëtim të suksesshëm me një transferim të merituar jashtë vendit. Te skuadra shkodrane, ajo ka qenë protagoniste në dominimin absolut të futbollit shqiptar për femra, duke kontribuar në fitimin e titujve të njëpasnjëshëm dhe pjesëmarrje të rregullta në Ligën e Kampioneve.
Tanimë, Curraj nis një kapitull të ri dhe sfidues në Itali, duke firmosur një kontratë dyvjeçare me Genoan, që synon jo vetëm të mbijetojë, por të bëjë zë në elitën e futbollit italian. Objektivi i saj është i qartë: të fitojë vendin e titullares dhe të ndihmojë ekipin në një sezon historik.
Ky transferim është jo vetëm një sukses personal për Currajn, por edhe një sinjal i qartë se futbolli i femrave në Shqipëri po rritet dhe po prodhon talente që po gjejnë vend edhe në skenën ndërkombëtare.