Theo Hernandez e mban gjallë lidhjen me Paolo Maldinin edhe në Arabinë Saudite

Edhe pse ka mbyllur një kapitull të rëndësishëm me Milanin dhe është transferuar tek Al Hilal, në Arabinë Saudite, Theo Hernandez nuk e ka harruar figurën që i ndryshoi karrierën: Paolo Maldini. Mbrojtësi francez ka postuar së fundmi në Instagram një foto domethënëse gjatë pushimeve në Sardenjë, ku shihet duke parë një fanellë të zezë me portretin e Maldinit në qendër dhe mbishkrimin “Capitano” poshtë saj, një homazh i heshtur, por shumë i fuqishëm për ish-drejtuesin kuqezi.

Lidhja mes Theo Hernandezit dhe Paolo Maldinit është e veçantë dhe e njohur në ambientin e Milanit. Ishte pikërisht Maldini që e bindi francezin të transferohej në Milano në vitin 2019, në një takim vendimtar në Ibiza. Prej asaj dite, karriera e Theos mori hov: ai jo vetëm u bë një nga mbrojtësit më të mirë në botë në pozicionin e tij, por edhe kapiten i Milanit, ashtu si legjenda e klubit që e kishte sjellë.

Në janar të këtij viti, Theo u bë mbrojtësi me më shumë gola në historinë e Milanit në Serie A, duke thyer rekordin e mbajtur pikërisht nga Paolo Maldini. Ky moment simbolik u shoqërua nga një gjest i madh: Maldini i dhuroi një fanellë me numrin 3 dhe një dedikim emocional ku shkruhej: “Për Theon, pasardhësin tim të denjë. Të dua.”

Edhe në lamtumirën e Theos nga Milani, ndikimi i Maldinit nuk mungoi. “Do të na mungosh shumë, Theo. Të dua”, ishte mesazhi i shkurtër, por prekës i legjendës italiane. Një marrëdhënie që i ka kaluar kufijtë e një bashkëpunimi profesional dhe që vazhdon të mbijetojë edhe në largësi, në një vend të ri, me një fanellë të re.

Theo e përjetoi shpërthimin e tij futbollistik nën hijen dhe kujdesin e një emri që për Milanin është më shumë se histori. Largimi i tyre nga klubi ndodhi në mënyra të ndryshme, por respekti dhe dashuria që ndajnë për njëri-tjetrin mbeten të pandryshuara, një lidhje e rrallë, që vazhdon të jetojë edhe përtej kufijve të Milanellos.