‘S’ka treg të lirë’/ Kedhi: Rama kontrollon çdo segment të ekonomisë shqiptare

Në një intervistë në studion e lajmeve në Syri Tv, anëtari i BrainGain në PD, Nikola Kedhi, analizoi gjendjen e ekonomisë shqiptare, duke theksuar mungesën e një tregu të lirë. Për gazetarin Edvin Parruca, Kedhi theksoi se ekonomia po kontrollohet nga një “dorë e vetme” që eliminon  mundësinë e konkurrencës së ndershme dhe kanalizon përfitimet drejt individëve të lidhur me pushtetin.

Ai gjithashtu kritikoi varësinë e ekonomisë nga sektori i ndërtimit, të cilin e konsideroi si të vetmin me rritje, por jo produktiv.

“Ka një shpjegim të thjeshtë vetëm me një fjali, në Shqipëri nuk ka treg të lirë. Mendoj se kjo gjë shpjegon gjithë këtë studim të The Economist. Fakti që këtu nuk ka treg të lirë do të thotë, që një dorë që është kryeministri kontrollon çdo segment të ekonomisë shqiptare. Kjo do të thotë që një kompani që do të konkurojë në treg me forcat e veta në bazë të aftësisë së saj që ka, të aftësisë rinovuese, të fuqisë punëtore që ka, të idesë, në treg nuk ia del dot.

Në treg çdo gjë kanalizohet nga ky shteti i madh, nga kryeministri drejt disa individëve, disa grupeve që varen nga kryeministri. Nuk ka një konkurrencë të ndershme dhe të lirë dhe të gjitha të tjerat vijnë si pasojë e kësaj. Nga ana tjetër, modeli ynë ekonomik është një model i varur te sektori jo produktiv. Përgjithësisht ekonomia vitet e fundit është varur te sektori i ndërtimit, që është i vetmi sektor që ka një rritje.” – tha Kedhi.