SYRI TV/ Golemi pa ujë, Ujësjellësi i Durrësit reagon: Uji me orar të reduktuar
Golemi duket se do të vijojë të jetë pa ujë gjatë gjithë sezonit të verës. Pas ankesave të banorëve, drejtues të Ujësjellësit të Durrësit pranuan për Syri Televizion se në zonën turistike të Golemit, uji është reduktuar. Zyrtarë të Ujësjellësit thanë se zgjidhja do të vijë vetëm pasi të vihet në funksion pusi i ri në Synej, i cili ndodhet ende në fazë testimi. Mungesa e ujit në Golem po sjell pasoja për turizmin në zonën turistike të Kavajës.
Prej një muaji, zona turistike e Golemit në Kavajë vuan nga mungesa e ujit të pijshëm. Një ditë më parë, banorët e Golemit treguan për Syri Televizion se turistët po largohen për shkak të mungesës së ujit, ndërsa vështirësi po hasin edhe resortet turistike.
Këtë të enjte, drejtori i Njësisë Operative në Ujësjellësin e Durrësit për zonën e Kavajës, Oltion Dautaj, reagoi për Syri Televizion duke pranuar mungesën e ujit. Ai tha se oraret për furnizimin me ujë të Golemit janë kufizuar, duke fajësuar për këtë rikonstruksionin e rezervuarit të Maskurisë.
Oltion Dautaj deklaroi gjithashtu se situata për furnizimin me ujë të Kavajës dhe Golemit pritet të zgjidhet pasi të vihet në funksion pusi i ndërtuar në Synej, por për këtë nuk ka ende një afat se kur do të jetë funksional.
Mungesa e ujit të pijshëm është kthyer në shqetësim për banorët dhe bizneset në zonë, të cilët këtë sezon duket se do të humbasin të ardhura për shkak të largimit të turistëve.