SYRI TV/ Mbyllet mandati i Komisionit të Posaçëm, Xhafaj dorëzon dy dokumente në Kuvend
Ndërsa institucionet e Bashkimit Europian kanë bërë kritika të forta për Komisionin e Posaçëm Antikorrupsion, kryetari i këtij komisioni, Fatmir Xhafaj, mori në mbrojtje punën e komisionit. Në një konferencë me gazetarët, Xhafaj nuk guxoi të kritikonte drejtpërdrejt Ramën për ndërhyrjen brutale në pushtetin vendor, ndërsa bëri sulme edhe ndaj institucioneve të drejtësisë që shpërfillën ftesën e tij.
Në prag të përfundimit të afatit të Komisionit të Posaçëm Antikorrupsion, kur ende nuk dihet se cili do të jetë fati i këtij komisioni, kryetari Fatmir Xhafaj është munduar të mbrojë punën e kësaj strukture, pavarësisht nga kritikat e institucioneve ndërkombëtare. Ndërsa Komisioni Europian shprehej se ekzistojnë mangësi në lidhje me punën, metodologjinë dhe ndikimin e këtij komisioni, Fatmir Xhafaj shmangu komentet për kritikat, duke u fokusuar te fjalët e mira, madje duke thënë se Komisioni Europian nuk ka pasur informacion të rifreskuar për këtë çështje.
I pyetur nga Syri Televizion për ndërhyrjet brutale të kryeministrit Edi Rama, i cili ka shkelur autonominë e pushtetit vendor, Fatmir Xhafaj u kujdes të mos bënte asnjë kritikë të drejtpërdrejtë për Edi Ramën, që i besoi drejtimin e komisionit.
Por drejt fundit të konferencës, i pyetur sërish nga gazetarët për shqetësimet lidhur me ndikimin e qeverisjes qendrore ndaj asaj vendore, Xhafaj pranoi se nuk duhet të ketë ndërhyrje të qeverisë në autonominë e pushtetit vendor.
'Qeverisja vendore ka autonominë e saj dhe duhet respektuar në çdo kohë dhe në çdo moment.'
Kryetari i Komisionit për Mirëqeverisjen, Antikorrupsionin dhe Sundimin e Ligjit nuk e ka pritur mirë shpërfilljen dhe injorimin që i bënë institucionet e drejtësisë komisionit të tij, prandaj shfrytëzoi rastin për t’i sulmuar ato.
'Po, ndoshta mund të ketë ndër ta edhe njerëz që nuk duan ta bëjnë, dhe nga ana tjetër janë ata vetë që kanë sjellë jo pak, por 150 amendamente për ndryshim. Por ne u thamë: "Bëjini ju, ne ju dhamë këtë kompetencë." Ata kanë humbur një shans shumë të mirë.'- u shpreh ai
Teksa dorëzoi në Kuvend dy dokumente bazë të punës së deritanishme, në një kohë kur ende nuk dihet se cila do të jetë e ardhmja e Komisionit të Posaçëm, Xhafaj nuk ka në plan t’i bëjë ftesë Partisë Demokratike, duke thënë se është në interesin e opozitës të vendosë nëse do të ulet në tryezën e komisionit apo do ta bojkotojë sërish.