‘Përmes forcës së kartonit, Këshilli nuk sqaroi statusin e Veliajt’/Teliti: Ministrat po fusin hundët në Bashkinë e Tiranës!

Rrëzimi i kërkesës së këshilltarëve opozitarë për statusin ligjor e politik të kryebashkiakut Erion Veliaj, për nënkryetarin e Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorjan Teliti, nuk është gjë tjetër veçse arrogancë e forcës së kartonit nga ana e mazhorancës socialiste në Këshill.

Në një intervistë për edicionin e mesditës në Syri Tv,  ndërsa zhvillohej mbledhja e Këshillit Bashkiak të Tiranës, nën drejtimin  Anuela Ristanit, Teliti tha se në një kohë kur SPAK  e ka marrë të pandehur Veliaj, Bashkia e Tiranës ka detyrimin ligjor t’i japë zgjidhje gjithë situatës së krijuar.

Gjithashtu Teliti, përmendi edhe ngritjen e një komisioni financiar për të hetuar se ku kanë shkuar paratë e taksapaguesve të Tiranës, porse përmes artificave të ndryshme të përdorura në Këshill nga Ristani, kjo kërkesë e këshilltarëve opozitarë u hodh poshtë.

Teliti, pavarësisht mos pasjes së fakteve konkrete, la të kuptohej se Balluku dhe ministra të tjerë të kabinetit qeveritar po ndërhyjnë në punët e Bashkisë së Tiranës, me konkurse për emërime, jashtë çdo norme ligjore e kushtetuese.

Në rend të ditës duhej të futej kërkesa e opozitës për statusin ligjor e politik të Erion Veliajt. Pas zhvillimit të djeshëm që Veliaj është i pandehur në SPAK, duhet të zgjidhet gjendja e tij. Këshilli duhet ta zgjidhë. Kemi dëgjuar histori të ndryshme për shkarkime nga ministra, në kundërshtim me ligjin.

Ne kërkuam edhe për përjashtimin e  dy akteve të konsultimit publik, kërkuam ngritjen e komisionit financiar të Bashkisë Tiranë. Sot nga shumë artifica e pamundësuan ngritjen e këtij komisioni. Nëse duan të vijojnë e mostransparencën e Tiranës prej 2 vitesh, është rruga e duhur për ta. Për ne nuk është e për qytetarët. Nuk e duan ngritjen e komisionit, ne do bëjmë çmos për të nisur punën ky komision, për të nxjerrë abuzimet në Bashkinë e Tiranës.

Këshilli Bashkiak duhet të bëjë diskutime mbi situatën, pastaj të bëhen propozime për kryebashkiakun, që është shkarkimi i Erion Veliajt e t’i hapet rruga zgjedhjeve të lira e të ndershme në bashki. Është depozituar që prej 2 muajsh kërkesa jonë, le të futet në rend të ditës. Sot nuk merret vesh kush e drejton Bashkinë e Tiranës. Kemi një amulli, situatë të pashpjegueshme dhe anormale. Normaliteti vjen me zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës.

Ne s’kemi parë gjë konkrete, pasi nuk zhvillohen në transparencë. Por po zhvillohen intervista, konkurse që s’janë normale. Ne kërkojmë zbatimin e kushtetutës e ligjit. Sot në situatën kur ministrat fusin hundët në punët e bashkisë është jashtë çdo standardi që ndodh në vitin 2025.