U arrestua për parkim të gabuar/ Qytetari e përgënjeshtron: Unë udhëtoj me autobus...telefonova 112 për të denoncuar cubat me uniformë...
Një ngjarje që qarkulloi në media dy ditë më parë, ku pretendohej se një qytetar ishte arrestuar me dhunë nga policia për shkak të një parkimi të gabuar, ka marrë një tjetër kthesë. Vetë qytetari i përfshirë në këtë incident ka reaguar përmes një letre, ku mohon kategorikisht akuzën ndaj tij dhe sqaron se nuk posedon makinë, pasi udhëton çdo ditë me autobus.
Ai pretendon se ishte pikërisht ai që telefonoi numrin 112 për të denoncuar sjelljen abuzive të disa efektivëve të policisë, të cilët sipas tij po gjobisnin qytetarët në mënyrë selektive. Arrestimi, sipas deklaratës së tij, ndodhi vetëm pasi kundërshtoi veprimet e uniformave blu dhe tentoi t’i dokumentonte ato me telefon.
LEXO LAJMIN: Shteti privat i Ramës/ I riu arrestohet dhunshëm për parkim të gabuar
Letra e plotë:
I përhumbur në tymnajën e historisë më të genjeshtërt në jetë, një dore në allçi për 6 javë dhe një imazhi të denigruar padrejtësisht!
Ju rrëfej ngjarjen time dhe jo të atyre që xhirojnë nga ballkonet, “profesionalizmi” i të cilëve lë për të dëshiruar...
Unë jam ai djali që sipas jush kam parkuar makinën keq dhe më dhunoi policia për rezistencë....a thoni vallë?! E vërteta është që unë shkoj në punë me autobus dhe vij me autobus, makinën e kam të parkuar poshtë shtëpisë prej të djelës (në lagje, pa penguar qarkullimin e askujt dhe lehtësisht e provueshme), ndaj për cilin parkim dysh po flisni?! Ajo që ju NUK KENI mundur dot të shihni është telefonata ime drejt 112 për të denoncuar të njëjtët cuba në uniformë për gjobvënie selektive te automjeteve të parkuara (dhe kjo lehtësisht e gjurmueshme për shkak se thirrja zgjati thuajse një minutë dhe drejt numrave të emergjencës thirrjet regjistrohen).
Komentuesit, ashtu si dhe burimi i informacionit - gjysmak, arritën në konkluzione, urime e mallkime, po gjysmake! Shumë prej jush më treguan për emancipimin dhe qytetarinë pa ditur asgjë për mua...
Ju keni parë momentin kur më marrin me dhunë telefonin tim për të mbrojtur kapelën e tyre dhe në ASNJË MOMENT interesin e secilit prej jush në komente!
Sa për qytetarinë, jam rritur nga dy prindër që qytetarinë ma kanë brumosur që fëmijë, dhe ajo që bëra ishte pikërisht kjo, një akt qytetar kur sheh që po bëhet një padrejtësi ndaj qytetarëve të tjerë!
Gabimi im i djeshëm?! Si qytetar këmbësor po denoncoja sjellje abuzive të uniformave dhe e gjitha mu kthye si bumerang, me një mori gënjeshtrash e informacioni të pavërtetë!
Ajo që mësova?! Është më mirë të bëj indiferentin karshi padrejtësive që vërej, ashtu si shumica e njerëzve!
Me respekt: J. K.