Demokratët kanë problemet e tyre me Epstein-in

Nga Jos Joseph - The Hill

T'i përkrahësh një partie politike është si të jesh tifoz i një ekipi futbolli universitar. Kur fiton pala tjetër, je i bindur se nuk e kanë arritur me ndershmëri. Kur akuzohen për mashtrim, i shpall fajtor menjëherë. Dhe nëse janë vërtet fajtorë, kërkon dënimin më të rëndë të mundshëm, përfshirë edhe dënimin me vdekje. Por kur është fjala për partinë ose ekipin tënd, bën gjithçka për të minimizuar, shmangur dhe mohuar. Pastaj shpall se rregullat nuk ishin të drejta dhe kur dënohesh, e paraqet si një përndjekje të padrejtë.

Më besoni, jam tifoz i Ohio State Buckeyes dhe demokrat.

Ndërsa presidenti Trump vazhdon të përballet me pasojat e premtimit të tij të thyer për të publikuar dosjet e Epstein-it, demokratët po përpiqen të përfitojnë nga mënyra e keqmenaxhuar e çështjes nga ana e tij. Edhe pse mbetet për t’u parë se sa shumë do t’i dëmtojë kjo çështje Trump-in dhe republikanët në zgjedhjet afatmesme, sondazhet aktuale tregojnë se vetëm 17 për qind e votuesve dhe 40 për qind e republikanëve e mbështesin mënyrën se si ai e ka trajtuar çështjen.

Shto kësaj edhe artikullin e Wall Street Journal për letrën e Trump-it drejtuar Epstein-it, që ka hedhur edhe më shumë dritë mbi marrëdhënien e tyre, dhe mund të mendosh se demokratët, më në fund, kanë diçka për të depërtuar në armaturën e pathyeshme të Trump-it. Por ka një problem madhor me të cilin demokratët duhet të përballen.

Edhe ata kanë njerëz të lidhur me Epstein-in. Dhe nëse duan që pasojat e dosjeve të Epstein-it të mbeten të përqendruara te Trump-i, duhet të veprojnë sa më parë. Ky nuk është një argument i tipit “të dyja palët janë të këqija”, por një paralajmërim se republikanët mund ta kthejnë shumë lehtë këtë situatë në një argument të tillë.

E dimë që Jeffrey Epstein kishte shumë miq në poste të larta, politikanë, biznesmenë, njerëz të famshëm dhe emra të tjerë të fuqishëm. Është logjike të supozohet që disa prej këtyre ishin demokratë. Tani, duhet të theksoj se fakti që dikush kishte një marrëdhënie me Epstein-in nuk do të thotë domosdoshmërisht se ka kryer krime. Duhet gjithashtu të theksoj se edhe me publikimin e Wall Street Journal, nuk ka prova që Trump-i të ketë kryer krime.

Por si në futbollin universitar, nuk ke nevojë të mashtrosh vërtet që të konsiderohesh mashtrues. Demokratët duhet të jenë të qëndrueshëm dhe të bashkuar në këtë situatë. Kjo do të thotë të heqin fishekun nga arma para se ajo të përdoret kundër tyre. Duhet të presin që çfarëdo që Trump-i zgjedh të publikojë në fund, do të jetë e përzgjedhur për të dëmtuar demokratët. Përpjekja e tij për ta paraqitur dosjen si një mashtrim demokrat të sajuar nga Barack Obama, Joe Biden e të tjerë, dështoi. Prandaj hapi i radhës do të jetë publikimi vetëm i pjesëve që i dëmtojnë demokratët.

Establishmenti demokrat duhet t'i dalë përpara kësaj e të shkëputet nga çdo politikan, donator apo bashkëpunëtor demokrat që mund të përmendet. Duket e thjeshtë, përveç faktit që demokratët kanë figura të larta, përfshirë ish-presidentë, të lidhur me Epstein-in. Çdo senator, guvernator, përfaqësues dhe zyrtar i DNC-së duhet të deklarojë se do të distancohet nga çdo demokrat që ka kryer veprime të dyshimta në bashkëpunim me Epstein-in dhe Ghislaine Maxwell-in. Por pastaj duhet t’i sfidojnë edhe republikanët të bëjnë të njëjtën gjë. Republikanët do të tërhiqen, sepse ka një person që dimë me siguri që nuk do të shkëputet prej tij: presidentin aktual.

Mbështetësit e MAGA-s duan të besojnë se ekziston një komplot që mbron elitën, por vetëm nëse kjo elitë është demokrate. Dhe demokratët duhet të jenë të qartë që nuk do të mbrojnë askënd të përfshirë në këtë çështje që ka kryer krime. Kjo është e rëndësishme, sepse do të dobësonte çdo argument të tipit “të dyja palët janë njësoj” që me siguri do të dalë sapo të publikohen dosjet.

Disa mund të argumentojnë se demokratët nuk duhet të bëjnë asgjë, por unë do të thosha se Partia Demokratike shpesh është treguar hipokrite dhe kjo i është kthyer në bumerang. Shembulli më i mirë është ish-presidenti i përmendur më sipër.

Aferat e Bill Clinton-it gjatë kohës si guvernator i Arkansasit dhe si president u minimizuan dhe u mbrojtën nga establishmenti demokrat gjatë procesit të shkarkimit. Mbrojtja e famshme që Gloria Steinem i bëri Clinton-it ishte shembulli perfekt për këtë. Edhe pse Clinton-i i mbijetoi shkarkim, stigma mbeti. Kështu që kur Hillary Clinton e sulmoi Trump-in për videon Access Hollywood, Trump-i dhe ekipi i tij kishin shumë material për të argumentuar se as demokratëve nuk u bëhej vonë për gratë. Dhe funksionoi.

Trump-i ka kaluar shumë stuhi politike duke i akuzuar akuzuesit e tij për të njëjtat gjëra që ka bërë vetë. Nuk ka asnjë arsye të besojmë se këtë herë do të jetë ndryshe. Trump-i është me shpinën pas murit dhe ka nevojë të “provojë” se shteti i thellë dhe klientët e Epstein-it janë vetëm demokratë.

Zgjidhja e vetme është që demokratët të tregojnë unitet dhe të shpallin se kushdo që ka kryer krime, pa marrë parasysh përkatësinë, nuk do të mbrohet nga partia. Vetëm kështu do të mund të çmontojnë argumentin e “të dyja palëve”, i cili me siguri po afrohet. Dhe duke vepruar kështu, do të lejojnë që pasojat e çështjes Epstein të godasin të vetmin njeri që po përpiqet t’u shmanget: Donald Trump-in.