Dhjetëra inspektoriate, satelitët, spiunët, nuk i bënë punë/ Rama shpik Kryeinspektoriatin Digjital të Territorit...

Pasi dështoi për 12 vjet me 12 inspektorate që kontrollojnë territorin Edi Rama ka shpikur një Kryeinspektor digjital që ta “Bëjë copë kontrollin e territorit”.

Kur dëgjon projektet e tij vetëm një gjë të shkon në mendje. Jo se e ka seriozisht që të kontrollojë territorin po kush është ai që e ka marrë ketë tender të ri dhe cili ka qene roli i tij në vjedhjen e grabitjen e zgjedhjeve të 11 majit.

Kryeministri Rama njoftoi përmes një postimi në Facebook krijimin e një strukture të re digjitale në funksion të kontrollit të territorit, Kryeinspektoriatin Digjital të Territorit.

Nuk është edhe aq shumë qesharake kjo iniciativa e kreut të qeverisë. Pasi në u mësuam tani me shpikjet e Ramës. A ju kujtohet në parlament kur bërtiste me të madhe që do ta kontrollojmë territorin, ndërtimet pa leje dhe parcelat me hashash, nga qielli. Me satelite. E jo vetëm një por dy cope kontaktoi qeveria shqiptare e nuk dihet se ku shkuan ato miliona euro.

Në një video të publikuar bashkë me postimin, Rama tha se ky institucion është një tjetër hap drejt modernizimit të qeverisjes dhe do të shërbejë për mbledhjen dhe analizimin e të dhënave në të gjithë vendin, si pjesë e zbatimit të masave të reja ligjore për kontrollin e territorit.

Kontroll deri pak muaj para zgjedhjeve si lokale ashtu edhe ato parlamentare. Ai u thotë që të ndërtojnë e të investojnë kursimet e tyre, e pastaj nëse nuk i përshtaten shijes së tij në formë kulle ai u dërgon fadromat. Siç bëri në Theth vetëm para pak ditësh.

 “Do ta bëjë më të lehtë punën e institucioneve dhe shumë më të vështira abuzimet e zakonshme me territorin,” thekson Rama.

Dhe kur e thotë këtë pas 12 vjetësh në qeverisje. Për ta besuar që e ka seriozisht duhet të jesh i painformuar dhe të mos shikosh komplekset e strategjikëve të tij që vijojnë të grabisin pronat e shqiptarëve.