Situata zjarreve në vend/ 34 vatra zjarri në 24 orët e fundit, 8 prej tyre ende aktive

Gjatë 24 orëve të fundit, janë raportuar 34 vatra zjarri, nga të cilat 8 vijojnë të jenë ende aktive dhe 3 janë në monitorim. Situata më problematike është evidentuar në qarqet Shkodër, Lezhë, Dibër, Elbasan dhe Gjirokastër.

Në vatrën e zjarrit, në vendin e quajtur “Maja e Paliskës”, mbi fshatin Dukat pati një përmirësim të situatës pas ndërhyrjes edhe nga 2 helikopterë të Forcës Ajrore. Por më vonë në mbrëmje zjarri u riaktivizua. Gjatë natës vatra është mbajtur në monitorim nga forcat zjarrfikëse.

Ditën e sotme në terren kanë shkuar forca nga strukturat vendore dhe 40 efektivë nga Forcat e Armatosura. Pritet gjithashtu edhe ndërhyrje nga ajri me 1 helikopter të Forcës Ajrore.

Po ashtu, në vatrën e zjarrit pranë Parkut Kombëtar të Lurës, dje u ndërhy edhe me avionin Canadair kroat nga Mekanizmi Evropian i Mbrojtjes Civile, gjë që solli një përmirësim të situatës në njërën nga vatrat. Megjithë përpjekjet e forcave operacionale në terren, nuk u arrit të shuhej zjarri. Puna po vijon sërish sot.

Një tjetër vatër problematike është ajo në vendin e quajtur “Përroi i Zi” , ku dje, ndërhyrja edhe me avionin Canadair kroat ngadalësoi përhapjen e flakëve drejt disa banesave dhe staneve në zone, por temperaturat e larta dhe erërat e forta ndikuan negativisht në vënien nën kontroll të vatrës, e cila pati një perimetër shumë të madh. Sot vijon puna për shuarjen e zjarrit.

Gjatë orëve të pasdites, pati një riaktivizim të fuqishëm të vatrës së zjarrit nga kufiri me Mirditën. Sot në terren pritet të operojnë 2 helikopterët hungarezë dhe avioni kroat Canadair.