Greqia përballet me kulmin e valës së të nxehtit: Stres ekstrem nga temperaturat dhe rrezik i lartë për zjarre
Shërbimi Meteorologjik grek ka paralajmëruar se dita e enjte dhe e premte, përkatësisht 24 dhe 25 korrik, do të jenë më të vështirat për shkak të stresit të lartë deri në ekstrem të nxehtësisë, që vjen nga temperaturat përvëluese që kanë përfshirë vendin. Sipas të dhënave të publikuara nga meteo.gr dhe Observatori Kombëtar i Athinës, valët e të nxehtit do të vazhdojnë me intensitet të lartë në pjesën më të madhe të territorit grek.
Të enjten, termometri do të ngjitet në 40-42°C dhe në disa zona do të arrijë deri në 43°C. Të premten pritet një rritje tjetër e lehtë, me temperatura që mund të shkojnë apo edhe të tejkalojnë 44°C në nivel lokal. Situata është e rënduar nga fakti se kjo valë e të nxehtit po zgjat prej ditësh, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e rrezikut të stresit të nxehtësisë dhe sëmundjeve të lidhura me të.
Sistemi i paralajmërimit HEAT-ALARM thekson se më e goditura nga stresi ekstrem termik do të jetë Thesalia, veriu i kontinentit dhe ishujt e Egjeut Lindor. Ndërkohë, autoritetet meteorologjike paralajmërojnë për një përkeqësim të ndjeshëm të kushteve pirometeorologjike në gjithë vendin, duke rritur rrezikun për zjarre në pyje.
Sipas ekipit shkencor FLAME të Njësisë METEO, kushtet e thata dhe temperaturat ekstreme që kanë filluar që prej së dielës më 20 korrik kanë rritur ndjeshëm ndezshmërinë e materialeve pyjore, duke lehtësuar jo vetëm shpërthimin, por edhe përhapjen e zjarreve me shpejtësi të lartë dhe intensitet të madh.
Ekspertët shtojnë se era nga drejtimi veri-verilindor do të forcohet ndjeshëm gjatë ditëve në vijim, veçanërisht në zonat lindore dhe në Egje, duke përkeqësuar më tej potencialin për zjarre të shkaktuara nga era. Autoritetet greke janë në gatishmëri të lartë dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin qëndrimin në diell, të konsumojnë lëngje dhe të ndjekin udhëzimet e mbrojtjes civile.