Përleshjet e përgjakshme në kufirin Tajlandë-Kamboxhia/ Shkon në nëntënumri i civilëve të vrarë, tensione në rritje

Përleshjet e dhunshme kanë shpërthyer në kufirin mes Tajlandës dhe Kamboxhias që në orët e para të së enjtes, duke lënë të paktën nëntë civilë të vrarë dhe të paktën 14 të plagosur, sipas ushtrisë tajlandeze. Të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën se e kanë nisur të parat zjarrin, në një përshkallëzim të ri të konfliktit kufitar që ka zgjatur prej më shumë se një shekulli.

Tajlanda ka raportuar se viktimat janë regjistruar në provincat Sisaket, Surin dhe Ubon Ratchathani, ndërkohë që Kamboxhia ende nuk ka publikuar shifra zyrtare për humbjet në njerëz. Phnom Pen pretendon se avionët luftarakë tajlandezë kanë bombarduar një rrugë pranë tempullit antik Preah Vihear – një vend i kontestuar prej dekadash nga të dyja palët.

Luftimet shpërthyen pranë tempullit Ta Muen Thom, në vijën ndarëse mes provincës tajlandeze Surin dhe provincës kamboxhiane Oddar Meanchey, duke rikthyer kujtimet e përplasjeve të mëhershme, përfshirë edhe incidentin e muajit maj kur u vra një ushtar kamboxhian.

Ndërkohë, retorika zyrtare mes dy vendeve është ashpërsuar. Ministria e Jashtme e Kamboxhias e ka cilësuar veprimin e Tajlandës si “të pamatur dhe armiqësor”, duke i bërë thirrje fqinjit të ndalojë menjëherë agresionin. Nga ana tjetër, Tajlanda i kërkon Kamboxhias të ndalojë sulmet ndaj objektivave civile dhe ushtarake dhe të respektojë sovranitetin e saj.

Në shenjë proteste dhe përshkallëzimi diplomatik, Kamboxhia ka tërhequr stafin e saj diplomatik dhe ka dëbuar ambasadorin tajlandez nga vendi, ndërsa Tajlanda ka mbyllur të gjitha pikat kufitare tokësore, pas një shpërthimi mine që plagosi pesë ushtarë të saj të mërkurën.

Tajlanda pretendon se minat janë vendosur së fundmi nga trupat kamboxhiane, por autoritetet në Phnom Pen këmbëngulin se ato janë mbetje nga konfliktet e së kaluarës. Tensionet kufitare mes dy vendeve kanë origjinë të lashtë, që nga përfundimi i pushtimit francez të Kamboxhias dhe ndarja e paqartë e territoreve përgjatë vijës së gjelbër.