U kap me municion luftarak në shtëpi/ Prokuroria 'fal' vëllain e deputetit të PS, kërkon ‘detyrim paraqitje’

Sot, më datë 24 korrik 2025, që prej orës 09:30, në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan po zhvillohet seanca gjyqësore për vlerësimin e masës së ndalimit dhe arrestit në flagrancë ndaj shtetasve Denis Hasalla dhe Bledar Çullhaj, të dy nën hetim.

Denis Hasalla, 35 vjeç, me detyrë Drejtor Kabineti dhe mbikqyrës i menaxhimit të mbetjeve urbane në Bashkinë e Peqinit dhe vëllai i deputetit të Partisë Socialiste, Saimir Hasalla, u arrestua mëngjesin e fillimjavës gjatë një operacioni që u zhvillua në disa qytete të qarkut të Elbasanit ku u ushtruan 14 kontrolle.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, policia gjeti dhe sekuestroi një sasi municioni luftarak.

Operacioni u krye nga Strukturat për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, në zbatim të një vendimi të Gjykatës për lejimin e kontrolleve në kuadër të një procedimi penal të nisur që prej vitit 2024. Ky procedim është i lidhur gjithashtu edhe me hetimet mbi abuzimet financiare të kryera nga kompania "Eco Elb".

Në kuadër të të njëjtit operacion u arrestua edhe shtetasi Bledar Çullhaj, 36 vjeç, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij u gjet një armë e ftohtë.

Seanca e sotme gjyqësore pritet të përcaktojë masat e mëtejshme ndaj dy të hetuarve, ndërsa hetimet mbi këtë çështje vijojnë.

Prokuroria ka kërkuar caktimin e masës ‘detyrim paraqitje’ për Hasallën dhe Çullhajn.