Sekreti i jetës në qytetet më të mira të botës
Australia tani ka tre qytete në top 10-shen globale për cilësinë e jetesës. Banorët zbulojnë çfarë e bën jetën e përditshme kaq tërheqëse – dhe pse nuk ka të bëjë vetëm me motin.
Listat e qyteteve më të banueshme dhe më të lumtura në botë zakonisht dominohen nga vendet evropiane – por ndoshta është koha t’i hedhim një sy Australisë. Këtë vit, tre qytete australiane u renditën në dhjetëshen e parë të Indeksit të Qyteteve më të Banueshme nga Economist Intelligence Unit, ku Adelaide iu bashkua për herë të parë Melbournit dhe Sidneit.
Kjo nuk është ndonjë surprizë për australianët, të cilët prej kohësh kanë shijuar një cilësi të lartë jete. Ata theksojnë përfitimet e qytetit të madh – galeritë, koncertet, sportin dhe kuzhinën e larmishme – të kombinuara me bukurinë natyrore ikonike të Australisë, si çelësin e suksesit.
"Australia ka një respekt të thellë për natyrën. Pushimet e drekës mund të jenë një not, mbrëmjet kalohen në kinema të hapura dhe fundjavat në tregje fshatare plot me prodhime kaq të mira sa mezi duhen gatuar", tha Andrea Seifert, drejtoreshë e komunikimit që është rritur në Evropë dhe Azi dhe kohët e fundit është shpërngulur në Sidnei. "Ky akses ndaj natyrës dhe kulturës është vërtet i rrallë!"
Kjo lidhet edhe me një kulturë ku njerëzit punojnë për të jetuar, jo jetojnë për të punuar. "Stili i jetesës është thjesht më i lehtë. Jo domosdoshmërisht më i lirë, por ka një qasje ndryshe ndaj jetës këtu," tha Cheryl Monkhouse, që ka jetuar shumicën e jetës në SHBA dhe tani banon në Adelaide. "Pushimet janë të zakonshme dhe respektohen. Katër javë leje vjetore janë norma, jo përjashtim."
Ajo thekson gjithashtu se sistemi shëndetësor kombëtar është një shpëtim në krahasim me SHBA, ku humbja e punës mund të nënkuptojë humbje të përfitimeve shëndetësore. "Në Australi, ka një ndjesi sigurie sepse ti dhe familja jote jeni të mbuluar pavarësisht punësimit," tha ajo.
Melbourne: Multikulturor, i apasionuar pas kafesë dhe sportit
Melbourne, i renditur i katërti globalisht dhe më i larti ndër qytetet australiane, mori nota maksimale për arsim dhe kujdes shëndetësor dhe tejkaloi Sidnein dhe Adelaide-n me pikët e larta në kulturë dhe mjedis. Banorët theksojnë diversitetin kulturor si një faktor të madh tërheqës.
“Njerëzit, ushqimi, jeta – Melbourne është kaq multikulturor,” tha Dani Feludu. “Jetoj në periferi dhe për 10 minuta mund të arrij në restorante me kuzhinë meksikane, tajlandeze, filipinase, koreane dhe turke.”
Banorët gjithashtu adhurojnë kulturën e kafesë, trashëgimi e emigrantëve italianë nga vitet ’50–’70. "Kafenetë janë vende për t’u lidhur me të tjerët. Nuk është thjesht për pijen, por për komunitetin," tha Katherine Tuominen, themeluese e Catalyst Brand Strategy.
Për të apasionuarit pas sportit, Melbourne është parajsë. Turne ndërkombëtare si Australian Open dhe Formula 1 Grand Prix zhvillohen në qendër të qytetit. “Sportet lokale si AFL janë tepër popullore dhe të argëtojnë pafund,” tha Michael Rozenblit. Ai rekomandon të vizitoni Melbourne Cricket Ground (MCG) për një ndeshje të vërtetë australiane.
Sydney: Komoditet urban me stil jetese bregdetar
Sidnei, qyteti më i populluar në Australi, u rendit i gjashti globalisht me nota të shkëlqyera në arsim dhe kujdes shëndetësor, dhe rezultate të larta për infrastrukturën dhe mjedisin. Banorët përmendin balancën perfekte mes jetës në një metropol dhe aksesit të lehtë në natyrë.
“Gjithçka është e balancuar: ushqim i mirë, kulturë, punë dhe natyrë pranë,” thotë Liam Duffy. "Në një orë mund të kalosh nga një kafene e mbushur plot në qytet në një plazh të qetë ose një park kombëtar."
Sidnei, veçanërisht lagjja Bondi, është e njohur për stilin e jetesës së shëndetshme. “Zgjohem në orën 05:00 për vrap, një zhytje në oqean, sauna dhe një kafe – të gjitha para orës 07:00,” tha Alice Moore nga agjencia Élysée Collective.
Me më shumë se 1,500 km shtigje ecjeje dhe biçikletash, dhe një infrastrukturë të planifikuar mirë, Sidnei ofron lehtësi në lëvizje dhe një ndjenjë sigurie. Scena kulinarie është po aq e larmishme sa Melbourne – nga restorantet e shtrenjta deri te zgjedhjet e përballueshme si BBQ japonez, koreane, libaneze dhe turke.
Tregu i ri i Peshkut të Sidneit, që pritet të hapet këtë vit, do të shfaqë prodhimet më të mira detare të Australisë dhe pritet të tërheqë afro gjashtë milionë vizitorë në vit. “Karkaleca të freskëta, goca deti, gaforre... do të shijohen aty ku ankorohen çdo ditë anijet e peshkimit,” tha Amanda Bolger nga Luxury Escapes.
Për të parë Sidnein nga një perspektivë ndryshe, ajo rekomandon të merrni një traget nga Circular Quay për në Manly dhe të shijoni pamjen mahnitëse të Portit të Sidneit.
Adelaide: Heroi i heshtur
Adelaide u ngjit me dy vende në renditje dhe për herë të parë hyri në top 10, falë pikëve të përmirësuara në kulturë dhe mjedis. Kryeqyteti i Australisë së Jugut ofron një përzierje të veçantë të thjeshtësisë, qasjes në natyrë dhe infrastrukturës së mirë.
"Jeta në Adelaide është më e thjeshtë," tha Cheryl Monkhouse. "Transporti publik është i besueshëm dhe fëmijët e mi e përdorin çdo ditë për të shkuar në shkollë, në plazh apo për të takuar miqtë."
Për banorët, Adelaide është një qytet i madh me shpirt rural – një vend ku jeta është më e qetë, më e përballueshme dhe më e lidhur me natyrën.