Studimi: Evropianët po udhëtojnë më shumë, më gjatë dhe më ndryshe këtë verë

Evropianët janë të vendosur të mos heqin dorë nga udhëtimet, pavarësisht pasigurive ekonomike dhe sfidave gjeopolitike.

Sipas një studimi të ri nga Komisioni Evropian i Udhëtimeve (ETC), shumica e tyre do të shpenzojnë mes 1,500 dhe 2,000 euro për person për një udhëtim gjatë periudhës qershor-nëntor 2025 – një rritje prej 3% krahasuar me verën e kaluar. Ndërkohë, 77% e tyre planifikojnë të bëjnë të paktën një udhëtim gjatë kësaj periudhe, dhe 91% do të qëndrojnë brenda kontinentit.

Spanja mbetet destinacioni më i preferuar me 13% të udhëtarëve, e ndjekur nga Italia (10%), Franca (8%) dhe Greqia (6%). Por ndërsa Mesdheu vazhdon të tërheqë turma, një pjesë gjithnjë e më e madhe e udhëtarëve po shmangin destinacionet tradicionale dhe po kërkojnë përvoja më të veçanta, larg zonave të mbingarkuara. Në fakt, 55% po kërkojnë vende më pak të eksploruara dhe 11% e kanë vendosur shmangien e turmave si prioritet kryesor.

Udhëtarët po zgjedhin gjithashtu periudha më të qeta për të udhëtuar. Përveç muajve të nxehtë të korrikut dhe gushtit, që mbeten popullorë për 25% të udhëtarëve, shtatori po fiton gjithnjë e më shumë terren me 22% të preferencave. Kjo ndodh falë kushteve më të favorshme klimatike, çmimeve më të ulëta dhe fleksibilitetit të orareve të punës.

Të moshuarit udhëtojnë më shumë: 82% e evropianëve mbi 55 vjeç kanë planifikuar udhëtime këtë verë, krahasuar me 66% të të rinjve 18-24 vjeç, të cilët kufizohen kryesisht për arsye financiare. Gjithsesi, 62% e evropianëve do të shpenzojnë të njëjtën shumë si më parë për pushimet, ndërsa 22% parashikojnë të shpenzojnë edhe më shumë.

Akomodimi zë pjesën më të madhe të buxhetit të udhëtimit (32%), i ndjekur nga ushqimi dhe pijet (24%). Ndërkohë që të rriturit mbi 45 vjeç preferojnë komoditet dhe ushqim cilësor, udhëtarët nën 35 vjeç synojnë aktivitete, blerje dhe përvoja të lidhura me mirëqenien dhe stilin e jetesës.

Edhe mënyrat e udhëtimit po ndryshojnë. Udhëtimi ajror mbetet opsioni më i zgjedhur (53%) për shkak të kostos dhe shpejtësisë, por edhe udhëtimi me makinë ka njohur rritje (32%) për akses më të mirë në zona të largëta. Presidenti i ETC-së, Miguel Sanz, theksoi se destinacionet duhet të përqafojnë këtë ndryshim: “Kjo është një mundësi për të promovuar përvoja të qëndrueshme dhe më autentike për udhëtarët evropianë.”

Në një Europë që lëviz gjithnjë e më shumë, sfida qëndron te gjetja e balancës mes dëshirës për të eksploruar dhe ruajtjes së autenticitetit të destinacioneve.