'Partitë e reja dështuan, nuk kishin një ideal që bashkonte njerëzit'/ Tafani: PS mban nostalgjinë e PP-së, PD ka qartësi ideologjike

I ftuar në emisionin “Kafe Shqeto” në Syri TV, analisti Endri Tafani referuar partive të reja që dolën në zgjedhje ka folur për krizën e identitetit ideologjik në politikën shqiptare, duke theksuar se në kushtet e vendit është shumë e vështirë të gjendet një shumicë njerëzish që bashkëpunojnë në mënyrë idealiste, veçanërisht kur nuk i bashkon një ideal i përbashkët.

“Në Shqipëri është e vështirë të gjesh një shumicë të madhe njerëzish që të bashkëpunojnë bashkë në mënyrë idealiste, sidomos kur nuk i lidh bashkë një ideal,” tha Tafani, duke theksuar se një nga problemet që kishte nisma “Thurje – Shqipëria bëhet” ishte pikërisht mungesa e një ideologjie të qartë.

Duke marrë shembull Partinë Demokratike, ai theksoi se një forcë politike si PD-ja ka një ideologji të qartë, çka e bën më të qëndrueshme në kohë. Sipas tij, do të ketë gjithmonë zgjedhje të reja dhe njerëz të rinj në skenën politike, por për sa kohë mungon një vizion i qartë ideologjik, politika nuk mund të funksionojë siç duhet.

“Edhe nëse kemi kritika ndaj PD-së apo PS-së, ato kanë një ideologji të qartë. PS, për shembull, mban një lloj nostalgjie për ideologjinë e trashëguar nga Partia e Punës. Kjo është diçka për të cilën jemi të gjithë të vetëdijshëm. Edhe PD-ja, pavarësisht problemeve, ka një ideologji të qartë,” u shpreh Tafani.

Ai shtoi se në zgjedhjet e fundit nuk kishte as lëvizje, as frymë të re, pasi partitë ishin tashmë të konsoliduara dhe mungonte një ideologji frymëzuese. “Edhe sot e kësaj dite njerëzit nuk ishin të qartë nëse ishin për tatim të sheshtë apo për tatim progresiv,” tha Tafani, duke shtuar se kjo pasiguri e bën të pamundur ndërtimin e një rruge të qartë drejt së ardhmes.

Sipas tij, përparësia e çdo force politike duhet të jetë ndërtimi i një ideologjie të qartë që e ndan nga të tjerat dhe i jep drejtim vizionit politik.

Tafani: 

Në kushtet e Shqipërisë është e vështirë të gjesh një shumicë të madhe njerëzish të cilët të bashkëpunojnë bashkë në mënyrë idealiste, sidomos kur nuk i lidh bashkë një ideal, domethënë një nga problemet që kishte nisma Thurje – Shqipëria bëhet është mungesa e një ideologjie të qartë.
Pra, nëse ti flet për PD, për shembull, ka një ideologji të qartë.

Do dalin gjithmonë edhe në zgjedhje të tjera, do dalin njerëz të rinj, por kjo është një mënyrë për të treguar sesi nuk duhet të funksionojë politika dhe mbi të gjitha është një mënyrë për të treguar se e para punës duhet të jetë ideologjia.

Pavarësisht se ne mund të kemi kritika ndaj PD-së apo PS-së sesi duhet të funksionojnë, etj., edhe PS ka një ideologji të qartë, e ka një nostalgji, idenë e një ideologjie që ajo mendon që e ka, një farë ideologjie që është trashëgimi nga Partia e Punës, dhe për këtë jemi koshientë, ndërkohë që edhe PD ka edhe ajo një ideologji të qartë.

Në këto zgjedhje nuk kishte as lëvizje, as frymë, partitë ishin konsoliduar tashmë, për më tepër që nuk ke as një ideologji që të frymëzojë njerëz, edhe sot e kësaj dite njerëzit nuk ishin të qartë në qoftë se ata ishin për tatim të sheshtë apo për tatim progresiv.

Kjo pasiguri të bën që të mos jesh i definuar qartë e para, dhe hapi i dytë që mos kesh mundësi që të rritesh në të ardhmen.